Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, në bashkëpunim me Sektorin Shqiptar të IBBY, organizojnë një sërë aktivitetesh në kryeqytet duke nisur që nga mëngjesi i 2 prillit, që është dhe Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë. Me sa bëjnë të ditur organizatorët, gjithçka do të nisë mëngjesin e 2 prillit, kur aeronautisti i njohur shqiptar, Alket Islami, do të lëshojë nga ajri kartolina me urime dhe mesazhin e kësaj dite nëpër shkollat e metropolit. Kartolinat do të përmbajnë mesazhin botëror të IBBY-t, mesazh që synon të afrojë fëmijët me librin, e njëherësh këto kartolina do të vlejnë edhe si ftesa për të vegjlit, të cilët me to mund të shkojnë për të qenë pjesë e një spektakli që do të zhvillohet me vonë në Teatrin Kombëtar të Kukullave në qendër të Tiranës. Në shfaqje do të marrin pjesë fëmijë të ndryshëm të kryeqytetit, të cilët do të shpalosin talentin e tyre në recitim apo edhe në krijimin e poezive. Gjithashtu, të ftuar do të jenë përfaqësues të ndryshëm të trupave diplomatike në Republikën e Shqipërisë, Komisionit Europian, Këshillit të Europës, shkrimtarë të letërsisë për fëmijë etj. Kjo ditë duke qenë se shënon edhe aktivitetin e parë të Muajit Kulturor Shqipëri-Kosovë, mbështetet nga kryeministrat Berisha e Thaçi dhe do të pasohet me aktivitete të tjera për fëmijët, siç pritet të jetë një ekspozitë e piktorëve të vegjël me punime rreth temës “Pavarësia e Kosovës”. Kjo ekspozitë mendohet që të çelet në të njëjtën kohë në dy kryeqytetet shqiptare, Tiranë dhe në Prishtinë.





Festa në Akademinë e Arteve

65 vjet për humoristin dhe komentatorin sportiv, Veli Rada



Pasditen e djeshme, në Akademinë e Arteve të Bukura në kryeqytet, është organizuar spektakli “40 vjet humor”, me rastin e 65-vjetorit të lindjes së aktorit dhe komentatorit sportiv, Veli Rada. Në spektakël kanë marrë pjesë aktorët Fadil Hasa, Behar Mera, Skënder Sollaku, Marjana Kondi, Vasillaq Vangjeli, Arben Spahia, Julia Iliriani, Rita Lati etj. Gjithashtu ishin të ftuar këngëtarë të ndryshëm, duke nisur nga Myfarete Laze, Kastriot Tusha, Irma Libohova, Eranda Libohova, Evis Mula, Samanta Karavello etj. Veç tyre nuk kanë munguar futbollistët e njohur dhe trajnerët e futbollit, gazetarët sportivë e shumë të ftuar të tjerë. Aktiviteti është organizuar nën kujdesin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango dhe Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Arbnori”.





1 Prill 2008