Shkodër- Ka hyrë në ditën e 7-të të tij operacioni për të asgjësuar çdo rrënjë kanabis në zonën e Dukagjinit, e cila quhet “Lazarati i veriut”.
E ndërsa policia vijon të përshkojë hap pas hapi çdo pëllëmbë tokë të kësaj zone të thellë malore dhe mjaft të vështirë një grup xhirimi i Ora News do i ndjekë sot hap pas hapi në komunën Temal, një nga dy komunat ku sot është përqëndruar operacioni I policisë.
Grupi i xhirimit i Ora News i përbërë nga një gazetar Bepin Kolvataj dhe 2 kameramanë, Erjon Spada dhe Ermal Noka do të dokumentojë hap pas hapi operacionin e një grupi të forcave të RENEA të cilët sot kanë detyrë të kontrollojnë dhe asgjësojnë çdo parcelë me kanabis në komunën Temal, zona më e thellë e Dukagjinit.
Rruga për atje nuk është e lehtë.
Pasi të kesh udhëtuar me makinë nga Shkodra deri tek diga e liqenit të Komanit, duhet të udhëtosh me varkë nga liqeni dhe më pas duhet të ecësh në këmbë për gati 3 orë për të mbërritur në fshatrat e kësaj komune ku mendohet se janë parcelat me kanabis.
Ora 04:30 e mëngjesit. Grupi i përbërë nga 12 vetë niset me makinë nga drejtoria e Policisë së Shkodrës deri në digën e Komanit.
Ora 07:00 grupi hipën varkës dhe përshkon liqenin e Komanit për afro 20-30 minuta. “Pasi zbritëm në tokë nisëm ngjitjen në mal për drejt fshatrave të komunës së Temalit.” rrëfen Bepini
Ora 09:00 Vazhdon ngjitja në mal për në fshatin e parë të komunës Temal, fshati Vilë.
“Terreni është mjaft malor dhe i thellë. Jemi në ngjitje dhe është një zonë e vështirë. Do na duhet gati tre orë në këmbë për të mbërritur në këtë komunë” raportoi për Ora News, sot në orën 09:00 korrespondenti ynë Bepin Kolvataj.
Ditë e gjatë “Pritet të jetë një ditë e gjatë pasi është një terren shumë i vështirë dhe do të duhen disa orë për tu përshkuar në këmbë nga strukturat e policisë për të mbërritur rreth këtij fshati dhe më pas të nisë kontrolli dhe asgjësimi i parcelave me kanabis.” thotë ai teksa vazhdon ngjitjen në mal.
72 orë. Kaq ka planifikuar policia që do të zgjasë ky operacion.
Operacioni ne Temal e Prekal
Policia e shtetit njofton se sot në ditën e shtatë të operacionit policor për identifikimin dhe asgjesimin e bimëve narkotike në Komunat e zonës së Dukagjinit, puna e strukturave të policisë në këtë drejtim është përqëndruar në fshatrat e komunës Temal, por edhe në fshatin Prekal.
Në këtë ditë të operacionit janë angazhuar 145 forca policore operuese, 20 automjete si dhe 3 skafe. Operacioni do të zhvillohet në zona të largëta nga qendrat e banuara dhe në terren të vështirë malor.
Në mbështetje të forcave policore operuese për identifikimin dhe asgjesimin e bimëve narkotike do të jenë edhe dy grupe të Repartit Special RENEA, të cilët do të sigurojnë zonë e operimit.
Ndërkohë, lidhur me rezultatet më të fundit të operacionit të ditës së djeshme, i kryer në fshatrat e Komunës Pult, janë asgjesuar 23052 bimë të dyshuar cannabis sativa, si dhe 3 armë luftarake e 4 kg boce marjuane.
Mbi 200 mijë rrënjë janë asgjësuar në komunën Pult e Shosh. Në 5 ditë operacion në Dukagjin, policia ka arritur të asgjësojë rreth 100 mijë rrënjë kanabis sativa në zonat e thella malore. Dy pjesëtarë të grupit të zjarrit që qëlluan helikopterin u arrestuan.
Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter