Tirana do të presë nesër, më e bukur se kurrë, Ditën e Verës. Argëtim, sport, muzikë, produkte artizanale, ushqim i shëndetshëm, janë ato që do të ofrojë kryeqyteti për të gjithë qytetarët që do të zgjedhin Tiranën për të kaluar festën. Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh që nisin që në orët e para të mëngjesit dhe për të përfunduar në mesnatë.


Për të garantuar mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve dhe për ti dhënë mundësi qytetarëve që të festojnë qetësisht, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit, ka marrë të gjitha masat për kufizimin e qarkullimit të automjeteve në disa prej rrugëve, ku janë planifikuar zhvillimi i aktiviteteve.


Bashkia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e qarkullimit të automjeteve në rrugët:


Nga ora 07:00 deri në orën 19:00 në segmentin e blv. Dëshmorët e Kombit nga kryqëzimi me rrugën Myslym Shyri deri blv. Zhanë D’Ark.


Për këtë segment qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit, do të bëhet si më poshtë:


Në rrugën Myslym Shyri në kryqëzimin me blv. Dëshmorët e Kombit, drejtim i detyruar majtas, sipas sensit të lëvizjes.


Në blv. Zhanë D’Ark, drejtim i detyruar drejt-majtas, sipas sensit të lëvizjes.


Nga ora 00:00 deri në orën 24:00 në segmentin e blv. Dëshmorët e Kombit nga kryqëzimi me blv. Bajram Curri deri rrugën Ismail Qemali.


Për këtë segment qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të bëhet si më poshtë:


Në blv. Bajram Curri në kryqëzim me blv. Dëshmorët e Kombit, drejtim i detyruar drejt-majtas, sipas sensit të lëvizjes.


Në rrugën Ismail Qemali me blv. Dëshmorët e Kombit, drejtim i detyruar drejt-majtas, sipas sensit të lëvizjes.


Nga 00:00 e datës 14 Mars deri në orën 04:00 të datës 15 Mars në segmentin e rrugëve; Pjetër Bogdani nga Ibrahim Rugova deri Sami Frashëri; Brigada VIII; Ibrahim Rugova nga kryqëzimi me blv. Bajram Curri deri me rrugën Ismail Qemali.


Për këto segmente qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të bëhet si më poshtë:


Në blv. Bajram Curri në kryqëzim me Ibrahim Rugovën, drejtim i detyruar drejt, sipas sensit të lëvizjes.


Në rrugën Ismail Qemali në kryqëzim me Ibrahim Rugovën, drejtim i detyruar drejt-majtas, sipas sensit të lëvizjes.


Mjetet e transportit publik me itenerar në blv. Dëshmorët e Kombit do të devijohen në rrugët Ibrahim Rugova- blv. Gjergj Fishta Sami Frashëri për të vazhduar në sheshin Willson për njërin drejtim. Për drejtimin tjetër, nga sheshi Willson Sami Frashëri – blv. Bajram Curri – ura e Rr. Elbasanit për të vazhduar në rrugën George W. Bush.


13 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)