Arben SkenderiBashkia e Tiranës, edhe këtë vit si vitet e tjera ka parashikuar një axhendë shumë interesante për festimet e Ditës së Verës. Pa dashur ti marrim ekskluzivitetin qytetit të Elbasanit, ne vazhdojmë të festojmë ashtu si edhe vitet e tjera, këtë festë, tashmë kaq popullore, u shpreh Drejtori i Artit dhe Kulturës në Bashki Arben Skënderi.


Duke bërë publike aktivitetet që do të organizohen në kuadër të Ditës së Verës, Skënderi tha se panairi Bli dhe prodho shqip, i cili tashmë është kthyer në një traditë, këtë vit do të kemi një element të ri, sepse përveç produkteve shqiptare nga të gjitha trevat, do të kemi edhe prezencën e shumë kryetarëve të komunave të këtyre trevave, nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Presheva, si edhe nga vendi, të cilët do të na nderojnë me prezencën e tyre, në çeljen e këtij panairi.


Do të organizohen aktivitete të natyrave të tjera, për të gjithë grup-moshat. Më lejoni këtu të evidentoj një element të ri që Bashkia e Tiranës ka iniciuar këtë vit, duke dashur të evidentojmë punën dhe kontributin që japin shumë artistë të rinj të cilët kanë hapur shkolla të ndryshme dhe që kontribuojnë në përçimin e dijes, përditë, në shërbim të komunitetit, pra, duke i aktivizuar në këto aktivitete, jo vetëm për të vlerësuar punën e tyre por edhe për tu treguar atyre vetë por edhe publikut se ata janë një pjesë aktive e jetës socio-kulturore të vendit, tha ai.


Bashkia e Tiranës me rastin e Ditës së Verës ka krijuar disa pika të ndryshme në qytet ku do të organizohen aktivitetet për të gjitha grupmoshat. Sheshi para Galerisë së Arteve do të jetë i veçantë dhe do të jetë i përqëndruar në fushën e teatrit. Do të ketë animacione dhe pjesë teatrale për fëmijë, nga më të ndryshmet dhe për disa grup-mosha, sigurisht, për të kaluar më pas në parkun Rinia ku do të ketë tre pika të tjera. Këndin e pikturës, i cili tashmë është kthyer në një traditë të paevitueshme për fëmijët, lojrat popullore dhe këndi i DJ të rinj, janë aktivitetet që do të organizohen në Parkun Rinia. Një seri aktivitetesh do të organizohen në Kodrat e Liqenit Artificial.


Kemi parashikuar aktivitete në të gjitha pikat kryesore, ku mendojmë se publiku do të vërshojë në këtë ditë feste, për të gëzuar e për të qenë sa më aktivë në festimet e kësaj dite, tha Skënderi


I pyetur nëse Bashkia ka kordinuar  aktivitetet me qeverisë Skënderi u përgjigj: në momentin që flasim, në fakt në Bashkinë e Tiranës nuk ka mbërritur asnjë kërkesë zyrtare për leje zhvillim aktiviteti por ne ngelemi të hapur për çdo lloj bashkëpunimi, pasi fundja të gjithë jemi në festë por deri tani nuk kemi asnjë kërkesë zyrtare për leje zhvillim aktiviteti apo për një bashkëpunim, çfarëdo lloj qoftë. Bashkia i është përmbajtur edhe këtë vit, ashtu si vitet e tjera kalendarit vjetor të aktiviteteve, mes të cilave dhe Dita e Verës.