Grupet kundërshtare brenda minoritetit përplasen hapur. Bollano nuk lejon Kserën të flasë
Përplasjet midis lidershipit politik, përfaqësues të minoritetit etnik grek, u rishfaqën sërish gjatë ceremonisë së festimit të 19-vjetorit të themelimit të Organizatës Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek në Shqipëri, Omonia, veprimtari që shoqërohet çdo vit edhe me ritualin grek të prerjes së pitës së fatit përgjatë vitit të ri. Rituali i përvitshëm i përkujtimit të përvjetorit të themelimit të organizatës së grekëve të Shqipërisë Omonia, është organizuar dje në fshatin më të madh të këtij minoriteti, në Dervician të Dropullit të Poshtëm, Gjirokastër, veprimtari gjatë së cilës krahas urimeve nuk munguan as akuzat dhe as përplasjet mes palëve. Ajo që tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve në festë ishte mungesa e pothuajse të gjithë themeluesve të parë të Omonias, madje vetë kryetari i parë i Omonias, poeti Andrea Zarballa qëndronte jashtë sallës ku zhvillohej mbledhja përkujtimore. Konferenca jubilare e Omonias u moderua nga kryetari i Komunës pritëse të Dropullit të Poshtëm, Dhimitër Maluqi, i cili u dha fjalën me radhë kryetarit aktual Vasil Bollano, ambasadorit grek Nikolaos Pazios, konsullit grek në Gjirokastër Joanis Rizopullos dhe kryetarit të PBDNJ-së Vangjel Dule. Ndërkohë ka qenë vetë kryetari Bollano që ka debatuar dhe ka refuzuar që deputeti dhe ministri aktual i PDSH-së, një nga ish-krerët e Omonias, Spiro Ksera, të marrë fjalën dhe të përshëndesë përvjetorin e 19-të të themelimit të kësaj organizate. Ndërkaq, për këtë ndalim të Kserës për të përshëndetur, ka pasur komente të ndryshme, ndërsa Bollano nuk ka pranuar ta komentojë. Dule në prononcimin e tij u shpreh: “çdo veprimtari ka protokoll dhe unë mund të dua të bëhem perandor i Bizantit, por nuk mundem”. Ndërsa vetë Ksera tha: “Refuzimi ishte shprehje e qartë e gabimeve dhe e mungesë së demokracisë brenda Omonias dhe që vërteton qëndrimin e pjesës dominuese të anëtarësisë shprehur 5-6 muaj më parë, që Omonia ka rënë në duar të personave pa imunitet dhe pa përkrahje të anëtarësisë, mandej sikurse u pranua sot, ka ardhur koha për një kongres të jashtëzakonshëm për të zgjedhur drejtuesit e rinj të saj”.
Përveç përplasjeve të hapura mes lidershipit të minoritetit grek në Shqipëri, analistët e zhvillimeve politike brenda komunitetit grek në Shqipëri mundën të dallojnë dhe evidentojnë qëndrime të njëjta për unitetin e grekëve rreth Omonias në të ardhmen dhe ndryshime të qëndrimeve lidhur me vlerësimin e lidershipit politik që përfaqëson aktualisht minoritetin etnik grek në spektrin politik shqiptar, mes ambasadorit të Greqisë në Tiranë dhe konsullit të përgjithshëm në Gjirokastër. Sipas analistëve, të dy diplomatët ishin të prerë lidhur me rolin përfaqësues të vetëm dhe të pazëvendësueshëm të Omonias dhe në bashkimin rreth saj të të gjithë faktorëve të homogjenitetit grek në Shqipëri, por qëndrimet ndryshonin në vlerësimet e tjera. Ambasadori grek, Nikolas Pazios, në përshëndetjen e tij u shfaq më liberal, më tolerant dhe më pluralist lidhur me tendencat për krijimin e partive politike me profil etnik brenda këtij minoriteti, ndërsa konsulli i përgjithshëm në Gjirokastër, Joanis Rizopullos, ishte më kategorik për tendencat e pluripartizmit, pra kundër krijimit të një partie të re. Mandej ky i fundit pothuajse i kërcënoi përfaqësuesit e grupit nismëtar për krijimin e partisë së re me profil etnik, kur lidhur me këtë përplasje tha se “deri tani ne kemi folur vetëm me heshtjen tonë, por këtej e tutje nuk do të heshtim”. Ndonëse Bollano e Dule pranuan se në veprimtarinë e Omonias ka pasur edhe gabime dhe se viti 2010 do të jetë viti i bashkimit të të gjitha forcave rreth Omonias, ambasadori grek nuk ka ngurruar që t’u kujtojë të dyve rezultatet e dobëta të zgjedhjeve të fundit dhe se ka munguar një koordinim me komunitetin e grekëve nga Shqipëria që aktualisht jetojnë në Greqi.
Fakti që pothuajse të gjithë themeluesit e kësaj organizate mbetën “jashtë portës” në këtë përvjetor, disa sepse nuk u ftuan nga organizatorët dhe disa se nuk pranuan të marrin pjesë në ceremoni, fakti tjetër i përjashtimit nga foltorja e mbledhjes e ish-drejtuesin kryesor të Omonias, sot ministër dhe deputet Spiro Ksera, nuk u la të kalohet lehtë nga grupimi i ri politik, ku përfshihen edhe disa emra të tjerë me peshë në minoritet si: Kosta Barka, Thoma Miço, Mihal Naço, Ziso Lluci, Andrea Zarballa etj. “Sinqerisht mund të them se refuzimi që të përshëndesja vëllezërit e mi grekë në këtë ceremoni nuk përbën asnjë shqetësim për mua, jo vetëm sepse përfaqësues të pakicës kanë uzurpuar kreun e Omonias, por edhe për faktin se më në fund vetë ata pranuan gabimet dhe pranuan kërkesën e grupit dominues për të ndryshuar statutin e programin dhe për të bërë zgjedhje të reja, ku natyrisht nuk do të ketë më as kandidat dhe as kryetar si Bollano”, tha pas takimit për gazetën “Shqip” zoti Ksera.
Në mbyllje të kësaj veprimtarie u organizua edhe ceremonia e ritualit të prerjes së pitës së vitit. Ishte kryetari Bollano që preu pitën brenda së cilës ishte vendosur një monedhë 1 euro për të përcaktuar personin më me fat për vitin 2010, por, gjithsesi, asnjë prej pretendentëve për të udhëhequr minoritetin etnik grek nuk kishte fatin që të meritonte monedhën e këtij rituali, sepse fati në fakt i buzëqeshi gazetarit gjirokastrit Ilirjan Lluri.






#