Ka shkaktuar një debat të madh mediatik e politik në Itali zgjedhja e rrugës së eutanazizë (vetëvrasje e asistuar nga mjekët) i Dj të suksesshëm Fabiano Antoniani 39 vjeç nga qyteti i Milanos.


Dj italian me ndihmën e një organizate joqeveritare ka zgjedhur të udhëtojë drejt Zvicrës për të praktikuar eutanazinë dhe paraditen e sotme ka ndërruar jetë.


Për shkak të një aksidenti rrugor, në qershor të 2014, Fabiano Antoniani kishte mbetur i verbër e tetrapelgjik.


Për 3 vite rresht e pas shumë tentativash me terapi të pasuksesshme rehabilituese, Dj italian jetonte i paralizuar në shtrat, i ndihmuar për të marrë frymë e për t’u ushqyer me anë të aparateve mjekësore.


3 herë, Fabiano Antoniani, i ndihmuar nga e fejuara e tij i kishte shkruar letër Parlamentit italian e së fundmi dhe vetë Presidentit të Republikës Sergio Mattarella që ta lejonin të vdiste.


Në Itali është e ndaluar praktikimi i eutanazisë e me kërkesën e mjaft shoqatave e organizatave qeveritare 6 dekrete ligjesh janë prezantuar në Parlamentin italian, por ende janë të bllokuar në Komisionet Parlamentare.


Në profilin e tij në rrjetet sociale, Dj Fabiano me anë të së fejuarës së tij shprehej se ” Jam i bllokuar në shtrat, nuk shoh, nuk lëviz, ndjehem si në kafaz. Dua të vdes e t’i jap fund këtij ferri dhimbjesh, dhimbjesh e dhimbjesh.”


Me ndihmën e shoqatës ‘Luca Coscioni’, me seli në Romë, e cila promovon të drejtën e zgjedhjes së jetës për personat me sëmundje të pakurueshme si dhe të drejtën e aplikimit të testamentit biologjik, Dj italian ka udhëtuar dje drejt Zvicrës duke realizuar dëshirën e tij për t’i dhënë fund jetës. 


39-vjeçari italian Fabiano Antoniani ka ndërruar jetë paraditen e sotme në Zvicër duke realizuar dëshirën e tij.


Një debat të tillë mediatik ka shkaktuar rreth 10 vite më parë në Itali dhe rasti i gazetarit Piergiorgo Welby i cili vuante nga distrofia muskulare, e që zgjodhi rrugën eutanazisë.



/Oranews.tv/


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter