Manchester United ka bërë mrekullinë në Parc des Princes, duke skualifikuar nga Champions League PSG, pas një fitoreje 1-3.


Edhe pse francezët fituan ndeshjen e parë 0-2 në Angli, për ta Champions League duket se është një kompeticion i mallkuar, pasi dështuan keqazi në shtëpi.


Lukaku ishte autor i dy golave për Manchester United, ndërsa Bernat shënoi golin e vetëm për PSG.


Por në minutën e parë të shtesës ndodhi e papritura. Arbitri akordon një 11-metërsh mjaft të dyshimtë pasi e pa atë me sistemin VAR. Rashford mposht Buffon dhe Manchester shkon në çerekfinale të Champions, ndërsa PSG dështon sërish në Europë.


Ndeshja tjetër e së mërkurës mes Portos dhe Romës shkoi në shtesë pasi vendasit fituan në kohën e rregullt me rezultatin 2-1, i njëjtë me atë që kryeqytetasit italian fituan në ndeshjen e parë.


Koha shtesë foli për portugezët, që fituan një 11-metërsh në minutën e 117, të cilën e shndërroi në gol mbrojtësi brazilian Alex Telles.