U deshën thuajse tre ditë që të 12-të djemtë e ngecur në shpellën Tham Luang, të nxirreshin shëndoshë e mirë prej andej në një operacion të zhytësve ekspertë tajlandezë dhe atyre të huaj.


Dhe teksa operacioni u mbyll me sukses, nga spitali ku po kurohen vijnë edhe fotot e para të 12 djemve dhe trajnerit të tyre.



Ata ende po trajtohen me ndihmë mjekësore pas shpëtimit të tyre dramatik, por mund të shihen me fytyrë të buzëqeshur, duke dhënë një shenjë fitore për kamerën.


Ndërkohë, raportet thonë se djemtë dhe trajneri u droguan rëndë, para se shpëtimi i tyre të kryhej, në mënyrë që të mos trembeshin gjatë zhytjes në tunelet e rrezikshme të shpellës.


Tani që rreziku kaloi mund të bëjmë shaka dhe ju siguroj se ata djem nuk do të argëtohen kurrë më shumë sesa gjatë zhytjes në shpellë, citohet një zyrtar anonim nga mediet.



Ndërkohë autoritetet tajlandeze publikuan edhe detaje të tjera të operacionit dramatik për shpëtimin e tyre, që mbajti botën me frymën pezull. Thai Navy Seals publikoi një video të re që tregon operacionin tre-ditor të shpëtimit.


Të 13 të shpëtuarit ndodhen në spitalin e qytetit Chiang Rai dhe po marrin ndihmë mjekësore dhe psikologjike. Djemtë mbahen në karantinë, pasi po kryen analizat për të parë nëse kanë marrë ndonjë infeksion të rrallë në thellësi të tokës, megjithëse mjekët thonë se gjendja e tyre e mirë duket se e përgënjeshtron këtë mundësi.


11 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)