Me tone të ashpra dhe premtimin për të ndryshuar nga themelet sistemin politik në Shqipëri, Lulzim Basha ka entuziazmuar qindra qytetarë të Rrogozhinës që e pritën sot në shesh.


Kryedemokrati u ndal në bashkinë e drejtuar nga PDIU dhe nga aty sulmoi oligarkët, duke thënë se sistemi i ri me në krye atë si kryeministër, do të mbrojë të pafuqishmit dhe jo të fortët, ndërsa aktuali me Edi Ramën ndëshkon të dobëtit e më të pamundurit.


Oligarkët shushunja, këta armiq të interesit publik, e di fare mirë se çfarë i pret. PD ka një plan për nxjerrjen e vendit nga kriza. Analizimin e kontratave korruptive dhe kthimin e këtyre parave tek populli shqiptar. Pasuritë e vëna mbi gjakun dhe djersën tuaj do të konfiskohen. Kontratat korruptive do të anulohen duke nisur me kontratat e Arben Ahmetajt që helmojnë fëmijët e shqiptarëve, duke filluar me koncesionet e rrugëve, miliona të shqiptarëve që përfundojnë në xhepat e 5 njerëzve, u shpreh Kreu i PD.


Sipas Bashës ndryshimi i sistemit lidhet edhe me Reformën Zgjedhore dhe vettingun e kandidatëve për deputet e kryebashkiakë që PD ka nisur mes veti, për të kthyer Parlamentin në shtëpinë e vlerave dhe jo kriminelëve.


Ndryshim sistemi do të thotë që deputetët e ardhshëm të Shqipërisë nuk do të përcaktohen më nga një njeri, por do jenë prodhim i vullnetit të qytetarëve. Ju do i përcaktoni kandidatët e ardhshëm të PD në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë ata nuk do jenë njerëz pa emër, fytyrë që ngrejnë thjesht kartonin. Fati i tyre lidhet vetëm me votuesin, vetëm me qytetarin. Do garantojmë që Parlamenti të mos jetë më noteri i qeverisë, por mbrojtës i interesave tuaja, tha ai.


Basha theksoi se beteja e demokratëve në Shqipëri ka në thelbin e vetë, shfarosjen e fenomenit Rama.


Beteja jonë është betejë për të varrosur një herë e mirë fenomenin e Edi Ramës, fenomenin e politikanit batakçinj, politikanit që futet në xhepat tuaj për të pasuruar një grup njerëzish. Kjo do të parandalojë që asnjë njeri, asnjë grup dhe asnjë forcë politike të marrë peng demokracinë në Shqipëri. Beteja jonë do të bëjë të mundur ndryshimin e sistemit. Drejtësia do të çojë në burg politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin do të jetë ndryshimi i parë i sistemit, theksoi lideri i opozitës.