Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK) i shpalli laureatët e vitit që lamë pas, me një ceremoni solemne, të enjten në Prishtinë.

Hendbollisti më i mirë i Kosovës për vitin 2009 në konkurrencën e meshkujve nga FHK-ja është shpallur Hektor Dobroshi, i cili i mbron ngjyrat e skuadrës së Prishtinës. Dobroshi është shprehur shumë i gëzuar pasi fitoi këtë epitet. “Ky shpërblim është shumë i madh për mua, dhe më gëzoi shumë. E falënderoj komisionin e FHK-së që ka vendosur të më shpall mua, hendbollist i vitit. Ky epitet është një privilegj i madh për mua dhe do të më shtyjë të punoj shumë, edhe gjatë këtij viti”, tha Dobroshi.

Ndërsa, këtë çmim, në konkurrencën e femrave, e ka fituar hendbollistja e Kosovës së Vushtrrisë, Kaltrina Beka. “Jam shumë e lumtur me këtë çmim. E falënderoj trajnerin tim dhe bashkëlojtaret e mia, sepse pa ndihmën e tyre nuk do të mbërrija këtu. Ky çmim do të jetë stimulim për mua, që të punoj më shumë në të ardhmen”, deklaroi Beka.

FHK-ja i ka shpallur edhe nëntë hendbollistët e tjerë më të dalluar të vitit 2009 në konkurrencën e meshkujve. Ata janë: Altrin Zeka, Bardhyl Abazi, Muhamet Maloku, Arbër Curri, Enis Kabashi, Riad Shabanaj, Valbon Shala, Astrit Shala dhe Muhamet Dubovci.

Edhe në konkurrencën e femrave, krahas më të mirës, Kaltrina Beka, janë shpallur edhe nëntë hendbollistet e tjera më të dalluara të vitit: Lumnije Hyseni, Shqipe Tahiri, Shqipe Kurtoku, Shpresa Fazlija, Valbona Ndrecaj, Bjondina Sylejmani, Burneta Rama, Nertile Kusari dhe Bahrije Selmani.

Ndërsa, hendbollisti më i mirë i kosovar në kategorinë e juniorëve është përzgjedhur portieri i Përfaqësueses U-18 të Kosovës, Arbër Berisha.

Klubi më i suksesshëm kosovar në konkurrencën e meshkujve është zgjedhur Kastrioti i Ferizajt, kurse në konkurrencën e femrave, këtë epitet e ka fituar Prishtina. Ndërsa, Trepça është shpallur klubi më i mirë në kategorinë e juniorëve.

Po ashtu, FHK-ja e ka zgjedhur Fatmir Sylën trajnerin më të suksesshëm të vitit, i cili e drejton Kastriotin e Ferizajt në konkurrencën e meshkujve. Me mirënjohje nga FHK-ja është nderuar edhe trajneri i Përfaqësueses U-18 të Kosovës, Taib Kabashi dhe skuadra e tij.

Kurse, dy gjyqtarët më të mirë të vitit janë shpallur Afrim Azemi dhe Eshref Beqiri, të cilët kanë referuar edhe në nëntë ndeshje ndërkombëtare.

FHK-ja me mirënjohje i ka nderuar edhe punëtorët më të dalluar të vitit, punëtorët më të mirë që punojnë me grupmoshat e reja, mediat dhe donatorët e saj.

FHK-ja nuk i ka harruar as ata që nuk jetojnë më. Çmimin Post-Mortum e kanë marrë familjarët e Mustafa Rezniqit, Fazli Haxhiut dhe Asllan Jahjasë.

Kryetari i FHK-së, Mexhit Devaja para mysafirëve, në këtë ceremoni i përmendi ngjarjet kryesore nëpër të cilat ka kaluar kjo federatë gjatë vitit që lamë pas. Ai tha se objektiv i drejtuesve të hendbollit kosovar për vitin 2010 mbetet anëtarësimi me të drejta të plota në Federatën e Hendbollit Evropian (EHF) dhe në Federatën Botërore të Hendbollit (IHF).