Vijon nga numri i djeshem
Zoti Dodani. Do të doja, në intervistën e numrit të sotëm, të ndaleshim në atë ç'ka ndodhur me mikun tuaj të ngushtë në atë kohë, Pal Melyshi. Si ka nisur historia e tij në shërbim të Sigurimit të Shtetit?
Ka qenë viti 1950, kur Pal Melyshi, i zhytur në një urrejtje të madhe për vrasjen e Bardhok Bibës nga bandat e "Komitetit të Maleve", donte të hakmerrej me patjetër. Për këtë ka shkuar menjëherë te Mehmet Shehu dhe i ka kërkuar me insistim që të lejohej nga Ministria e Brendshme të futej në bandë. Nuk mund të rrinte dot më. Bardhok Bibën e kishte dashur jashtë mase dhe vrasja e pabesë e tij e kishte irrituar shumë. Pas kësaj, Ministria e Punëve të Brendshme, e drejtuar në atë kohë nga Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, vendosi që të dërgojë Pal Melyshin brenda bandave të maleve. Atij iu vendos pseudonimi "Furtuna".
Përse duhej të shkonte jashtë shtetit në periudhën që u vra?
Sigurimi shqiptar po shikonte shumë larg atëherë. Kishte njerëz të vendosur dhe të përkushtuar, dhe ishte me fat që kishte në drejtim një njeri si Kadri Hazbiu, me synime dhe ambicie për t'iu përkushtuar shtetit dhe jashtë mundësive të veta. Kështu, urdhri për "Furtunën" ishte që të krijonte besim te bandat dhe të mundësohej dalja e tij jashtë shtetit, ku të dërgonte të dhëna që nga jashtë. Këtë, sipas porosive të Kadriut, e arriti me të vërtetë. Ai në një moment u thirr nga Komiteti "Shqipëria e Lirë", e ndodhur në Paris. Kjo dihet, që Komiteti i Parisit ishte qeveria e përgatitur në emigrim, e cila koordinonte punën e bandave brenda Shqipërisë dhe të diversantëve që përgatiteshin dhe hidheshin nga jashtë. Kjo ishte një fitore jo vetëm për Palin, që kishte siguruar një besim të madh mes bandave dhe komandantëve të tyre, por edhe për Sigurimin e Shtetit, që elementi i vet po bënte aq shumë.
Në ato momente e ngarkoi Kadri Hazbiu për të dalë jashtë shtetit?
Pak kohë para se të vritej. Se kur u vra, ishin tamam çastet kur Pal Melyshi ishte nisur për jashtë shtetit. Ai u paraqit te Kadri Hazbiu, se kështu bënin njerëzit e Sigurimit, disa rrinin si banditë, disa gjendeshin në takimet me kuadrot e lartë të shtetit të atëhershëm. Kadriu tekstualisht i ishte shprehur: "Ti i dashur 'Furtuna' nuk je llogaritur për këtu, midis këtyre bandave, prandaj, mundohu të krijosh besimin e këtyre bandave ku je futur, kundër të cilëve ti nuk do të bësh asnjë veprim, bile në raste të caktuara përpiqu të mbrosh dhe jetën e tyre, sepse ti nuk je për të vrarë njerëz, por për t'i shpëtuar ata". Pastaj e pyeti për të dërguarin tjetër të Sigurimit në bandën ku ishte "Furtuna". "A u njohe me Preng Mark Stojanin?". "Po. Mësova që është 'Gjethi i Kuq'". Që do të thoshte se ishte i Sigurimit dhe nuk duhej të ngatërrohej me banditët e tjerë. Atëherë ndërhyri sërish Kadriu: "E kemi instruktuar 'Gjethin e Kuq', se përpara çdo operacioni që do të bëjnë forcat tona kundër bandave, në të cilat jeni radhitur dhe ju, ai,("Gjethi i Kuq") e ka komandantin e vet brenda në bandën ku është futur.... Komandanti yt, - i thamë, - e ka pseudonimin "Furtuna", prandaj kushdo që të të prezantohet me këtë pseudonim, do t'i vihesh menjëherë nën komandë. Kështu, i dashur "Furtuna", ai pret që ti të paraqitesh dhe të vihet nën komandën tënde. Aty ke edhe grupin e "Gavetës", që janë 4 veta. Po ashtu dhe atyre mjafton t'u thuash që je "Furtuna" dhe menjëherë do të të vihen nën komandë. Tani ti në një moment të përshtatshëm duhet të ikësh për të kaluar kufirin. Nuk duhet të harrosh që sa të nisesh, të lësh njoftim në "Pikën e Heshtur" dhe në "Pikën Rezervë". Kjo të bëhet që të na lësh itinerarin e kalimit, me qëllim që të të sigurojmë rrugën".
Si mund ta siguronin rrugën?
Pali, kur të ikte për në Komitetin e Parisit, nuk do të ishte vetëm, por me disa banditë. Mirëpo, duke ditur Sigurimi itinerarin e kalimit të tij, do të tërhiqte forcat e ndjekjes apo të mbrojtjes së popullit, si i quanin në përgjithësi atëherë, në rrugën që do të kalonin ata, pasi mund të binin në përpjekje dhe të eliminoheshin.
Kush kishte dijeni për "Furtunën"?
Vetëm Kadri Hazbiu. Kisha kërkuar disa herë të njihesha, por nuk më kishte dhënë mundësi Kadriu. Ishte momenti që "Furtuna" nuk duhej të njihej nga asnjëri, se nuk kishte ardhur situata e nevojshme.
Ju nuk e njihnit fare Pal Melyshin, i quajtur "Furtuna"?
Si nuk e njihja? Por jo si "Furtuna", por si Pal Melyshi. Unë e kisha shumë shok dhe nuk e dija që ishte i dërguari ynë në banda. Dija që kishte ikur me të vërtetë. Madje atij i ishte internuar dhe familja për këtë gjë, që të mos e kuptonin bandat që ishte i dërguar i Sigurimit. Mirëpo këto gjëra bëheshin kaq të sakta dhe kaq sekrete, saqë nuk kishim kuptuar gjë fare as ne që mbaheshim si tepër të besuar të Sigurimit. Madje më kujtohet, pasi kishte vdekur Pal Melyshi, unë i kërkova sërish Kadriut që të më takonte me "Furtunën", për të më ndihmuar në koordinim të veprimeve. Kadriu në atë moment u çua në këmbë dhe u skuq. Nuk do ta harroj kurrë atë moment. Ai më shikonte në sy dhe ndërkohë nga sytë e tij dallova lëngëzim lotësh, gjë që nuk e kisha konstatuar herë tjetër. Duke vazhduar të më shikonte me vëmendje, se e dinte që unë Palin e kisha pasur shumë shok, m'u drejtua: "Mark, ai nuk është më. Na u vra në përpjekje me forcat tona". "Dhe kush është?", - ia ktheva unë. "Mark, pas "Furtunës" është shoku yt, Pal Melyshi!". U gjenda keq. Nuk ishte e lehtë ngjarja që po merrja vesh.
Si u vra, kur ishin përcaktuar dhe ishin marrë të gjitha masat?
Ajo ndodhi në mënyrën më të papritur. Pas disa ditësh, si u takua me Kadri Hazbiun, Pali u nis për të ikur jashtë shtetit. Meqenëse nuk kishte lindur nevoja, ai nuk ishte prezantuar as me "Gjethin e Kuq" dhe as me "Grupin e Gavetës". Mirëpo momenti kur do të ikte Pali nga banda, do të ishte dhe momenti për forcat e shumta të ushtrisë dhe të forcave të ndjekjes, për të goditur dhe asgjësuar bandën. Kështu, sa u nis "Furtuna", sipas porosisë së Kadri Hazbiut, shkoi në "Pikën e Heshtur" dhe në "Pikën Rezervë" për të lajmëruar ikjen dhe itinerarin e lëvizjes që do të bënte deri në kufi.
Dinte gjë "Furtuna", se pas ikjes së tij do të sulmohej banda nga forcat ushtarake që kishin kohë që e mbanin në vëzhgim, duke pritur vetëm urdhrin për sulm?
Absolutisht jo. Në Sigurim dihen vetëm ata që do të të takojnë dhe jo gjithçka. Kështu, ndërsa Pali u largua, nga ana tjetër po merreshin masat për sulm. Por e veçanta ishte se brenda bandës ishte dhe "Gjethi i Kuq" dhe "Grupi i Gavetës", që ta thashë disa herë se ishin të Sigurimit. Ata do të mbroheshin në një formë të tillë, që do të zinin një guvë të përcaktuar më parë, menjëherë sa të fillonte sulmi nga jashtë. Ndërkohë, forcave të ndjekjes do t'u thuhej që të mos qëllonin në drejtim të guvës dhe kështu mund të shpëtonin.
Dinin gjë ushtarët, që kishte njerëz të Sigurimit në bandën që do të qëllonin?
Absolutisht jo. Si mund të thuhej një gjë e tillë? Madje jo vetëm kaq, por këta njerëz që ishin brenda bandës, nuk mund të largoheshin dhe nga banda, sepse kishte rrezik të ndonjë dekonspirimi të planeve dhe pastaj pësohej shumë keq. Kështu që, e vetmja mundësi ishte që të vendoseshin në një vend të paracaktuar dhe duke mos u qëlluar në atë drejtim. Megjithatë, atë ditë që iku Pal Melyshi, u mor vendim që ndaj të gdhirë të sulmohej banda nga forcat e mbrojtjes. Kjo do të thoshte që banda të shfarosej fare. Për të garantuar dhe një herë efikasitetin e goditjeve dhe për të mos dëmtuar njerëzit e Sigurimit, Kadri Hazbiu dërgoi urdhrin urgjent që të evidentohej dhe një herë emër për emër prezenca e bandës. Këtë detyrë e kishte "Gjethi i Kuq". Nuk zgjati shumë dhe lista me emrat e bandës, e bërë dhe e firmosur nga "Gjethi i Kuq", u vendos në vendin e fshehtë të ndërlidhjes. Informacioni i marrë nga "Pika e Heshtur" dhe "Pika Rezervë" (ku Pali kishte lënë njoftimin e ikjes) nëpërmjet oficerit Sotir Vaso dhe informacioni që dërgonte "Gjethi i Kuq", ku në vendndodhjen e bandës së Preng Dod Gjinkeqit mungonte emri i Palit, ndërkohë që ishte ai i kushëririt të parë të tij, Mark Melyshit, përputheshin. Pra Pal Melyshi ("Furtuna") ishte larguar.
U qëllua banda e Preng Dod Gjinkeqit?
Ishte dhënë urdhri që të veprohej menjëherë ndaj bandës. Në këtë kohë ishin sinjalizuar dhe forcat klandestine të Sigurimit, të cilat do të futeshin në guvën që nuk do të kishte fuqi goditjeje nga forcat e ndjekjes. Ishte nata e 11 prillit duke u gdhirë 12 prill 1950. Banda në fjalë që do të goditej atë natë, e cila drejtohej nga Preng Dod Gjinkeqi, u rrethua në zonën e Ujlurthit. Mirëpo në këto momente, kur ishte errësuar plotësisht, u kthye sërish Pal Melyshi. Jemi në natën që do të goditej banda dhe Pali nuk dinte gjë. Mirëpo nuk dinin gjë as njerëzit e Sigurimit që ai ishte kthyer në bandë, pasi, sipas informacionit të dyfishtë që shpjeguam më lart, njëri prej të cilëve ishte i vetë Palit, dihej i ikur.
Pse u kthye?
Gjatë rrugës për jashtë shtetit kishte marrë vesh se nga banda e tij do të vriteshin në fshatin Sheshe (Mirditë) dy shokë, që do të shkonin nga Komiteti i Partisë. Njëri ishte i deleguari nga Tirana dhe tjetri ishte ai që kishte zëvendësuar Bardhok Bibën (Sekretari i Parë i Partisë), që quhej Gjon Gjoni. Mirëpo Pali, si rezultat i vrasjes së Bardhok Bibës, kishte dashur të shkonte në mal. Ai nuk donte të përsëritej më drama e Bardhokut. Kështu që u kthye menjëherë, që të evitonte apo të sabotonte vrasjet.
Ç'ndodhi kur u kthye?
Sa e pa "Gjethi i Kuq" (që Pali e njihte për kë punonte), i tha: "Po ti Pal Melyshi, ç'do këtu? Ti sikur ishe nisur?". "Pse, të prish ndonjë punë ty?", - ia ktheu Pali. "Gjethi i Kuq", megjithëse nuk e dinte që ai ishte pikërisht "Furtuna", prapë sikur pati një parandjenjë për të. Por ai mbante përgjegjësi për raportimin e prezencës së bandës që kishte dërguar te Kadri Hazbiu nëpërmjet Gjolek Aliut dhe Mëhill Stojanit. Rrugë tjetër nuk kishte, vetëm të pritej sulmi.
Filloi?
Në orën e caktuar që i binte afër mëngjesit, u bë goditja e fuqishme dhe e gjithanshme nga forcat e ndjekjes. Pas kësaj, "Gjethi i Kuq" u vërsul për te guva e përcaktuar. Pas tij u lëshua Pali (kemi parasysh se Pali e njihte "Gjethin"). Nga kjo, ai kuptoi se mund të ishte Pali "Furtuna". Breshëritë ishin të papërballueshme. Pa arritur mirë te guva, Pali u godit disa herë. Atëherë "Gjethi" doli për ta tërhequr me të shpejtë, por nuk mundi pa i marrë dhe nja dy-tre plumba për vete, por për fat të mirë nuk ishte goditur në vende të rrezikshme të trupit. Pas dy orësh zjarr të dendur, beteja mbaroi. Ndjekësit lanë të vdekur në vend 12 veta, ndërkohë që kishte vdekur dhe Pal Melyshi. Shpëtuan të gjallë vetëm "Gjethi i Kuq", që ishte Preng Mark Stojani dhe një bandit që quhej Luk Perzefi, që di se ka qenë në Amerikë. Madje atë e kam pasur shok fëmijërie dhe në shkollë gjithashtu. Tani thotë që "Mark Dodanit i kam shpëtuar vetëm unë". Se m'i veshin mua çdo gjë tani. Ti e di, ngjarjet kthehen në legjenda (qesh me të madhe). Unë isha vetëm një anëtar i Shërbimit Sekret të shtetit tim, por gjithë ky shërbim përbëhej nga shumë shokë.
Po "Grupi i Gavetës"?
Kishte disa ditë që ishte tërhequr nga Sigurimi i Shtetit dhe ishte caktuar në banda të tjera.
Çfarë ndodhi me familjen e Palit?
Vazhdoi të jetonte në internim. Siç të thashë që në fillim, ishte internuar në Tepelenë dhe më pas u internua në "Pus të Mezinit", në Vlorë.
Po a u shpall hero ai!?
Jo në ato vite kur u vra, por më vonë. Kështu, kur u vra Pali, ishte pranvera e vitit 1950. Ai u varros me ceremoni të fshehtë dhe jo publike. Gjithsesi, u mbulua nga ne shokët e Sigurimit me flamurin kombëtar.
Pse të fshehtë?
Nuk donim të dekonspironim planet e Sigurimit në radhët e bandave. Loja e nisur prej kohësh, vazhdonte. Kur do të vinte momenti, ai do të rehabilitohej. Dhe me të vërtetë, pas 7 vjetësh si u vra (që nga prilli i 1950-ës), pikërisht në vitin 1957, çështja e Palit u legalizua dhe të gjitha veprimet u popullarizuan. Ai u nderua me dekoratën e lartë "Hero i Popullit".
Po familja?
U rehabilitua në vitin 1957. Atëherë u bënë të gjitha veprimet legale. Sigurisht, në Vlorë nuk persekutohej në atë shkallë që ishte përcaktuar për ato shtresa. Pas vitit 1957, kur u bë Pal Melyshi "Hero i Popullit", me interesimin direkt të Kadri Hazbiut, familja e tij, - nënë Dava, si dhe dy vëllezërit Leka dhe Frani, - u vendosën në Tiranë. Ndërsa motra, Maria, nuk ishte internuar, pasi ishte e martuar. Jo vetëm kaq, por Kadri Hazbiu që dinte në mënyrën më të shkëlqyer të respektonte shokët dhe njerëzit që i shërbenin atdheut, interesohej vazhdimisht për nënë Davën (nënën e Palit), të cilën e shikonte vazhdimisht, duke iu bërë si djali i saj. Emocionant ishte momenti kur varrosëm nënë Davën, ku nuk mungoi asnjë shok i Palit. Ishte shumë emocionuese. Po të kishte pasur gjallë Palin, nuk do t'i kishte bërë më shumë atë ditë.
Kur i vdiq nëna Pal Melyshit?
Nënë Dava ka vdekur në vitin 1977, pikërisht në moshën 77 vjeçe. Në atë kohë, sa e mori vesh Kadri Hazbiu, ka dhënë alarmin te të gjithë neve, shokët e Palit, që të mos ngeleshim asnjëri pa u njoftuar. Unë atë ditë kam qenë në Durrës. Kadriu, kur shkoi në shtëpinë e nënë Davës dhe pa se unë nuk isha, pyeti gruan time, Temen, e cila kishte shkuar që në fillim për ngushëllim, se ku isha. Ajo ia ktheu se nuk e dinte ku isha me shërbim atë ditë. Atëherë ai vuri në lëvizje të gjithë eprorët e mi, duke më dërguar një makinë dhe kështu u bë e mundur, që në çastet e fundit kur do të shkonim në varreza, unë munda t'i hidhja një grusht dhé mbi arkivol. Kur shkova aty, ishte një ceremoni mëse madhështore. Ishin të gjithë shokët e Palit. Veç Kadri Hazbiut, ishin dhe "Heronjtë e Popullit", Asim Aliko, Hekuran Pobrati, Rexhep Kolli, Ndreko Rino, Jorgo Sulioti, zv/ministri i Punëve të Brendshme, Frrok Pjetër Gega, si dhe gjeneralët Xhule Çiraku, Qazim Kondi, apo ish-kolegët e afërt të Palit, Sulejman Manoku, Rasim Dedja, Mëhill Doçi etj.
(Vijon nesër)