Endrit Dokle, i arrestuar në vitin 2005 me akuzën e kryerjes së disa krimeve në kuadër të “Bandës së Durrësit”, vendoset nën akuzë për trafik ndërkombëtar droge nga burgu. Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri publike dje rezultatet e operacionit të koduar me emrin “Ura”, gjatë të cilit janë arrestuar shtatë persona. Personi i tetë i akuzuar në këtë dosje, që bën fjalë për trafikimin e 38 kileve heroinë në rrugë tokësore, nga Shqipëria në Itali, është shtetasi Endrit Dokle, i arrestuar pesë vjet më parë si anëtar i “Bandës së Durrësit”. Anton Martini, Prokurori i Krimeve të Rënda, që ka hetuar dosjen penale të trafikimit të 38 kileve heroinë nga Shqipëria në Itali, tha dje se shtatë personat e arrestuar akuzohen se në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ku bënte pjesë nga burgu edhe Endrit Dokle, kanë kryer trafik ndërkombëtar droge në periudhën shtator 2008 - gusht 2009. Fjala është për dy ngarkesa me drogë, të cilat janë nisur nga Shqipëria dhe në rrugë tokësore kanë mbërritur në Itali, ku janë bllokuar nga policia vendase pas sinjalizimeve të dërguara nga Tirana. Isuf Buna, i njohur me pseudonimin “Lalushi”, Shefqet Vata, i njohur me pseudonimin “çeti”, Jorid Xhunga, i njohur me pseudonimet “Ruçi” dhe “Ridi”, Edmond Taulla, i njohur me nofkën “Moke”, Vito Baba i njohur me pseudonimin “Vehap” dhe Eglantina Lulo, me pseudonimin “Tina”, janë arrestuar nga policia në zbatim të urdhrave të prokurorisë gjatë datave 14 dhe 15 maj 2010. Zv/prokurori i Krimeve të Rënda, Kostaq Beluri, Drejtori i Hetimit të krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit, Edmond Rizai, një përfaqësuese e zyrës INTERFORZE dhe prokurori i çështjes Anton Martini bënë publike dje rezultatet e operacionit. Ngarkesat me drogë Sipas Prokurorisë për Krime të Rënda, hetimi i dosjes penale ndaj tetë personave të akuzuar filloi në shtator 2008. Në këtë kohë, Policia e Durrësit dhe Prokuroria e këtij qyteti mblodhën informacionet e para që tregonin se një grup personash kryenin trafik heroine nga Durrësi, duke e tranzituar atë në Mal të Zi, Kosovë, Bosnje dhe Kroaci, me destinacion Italinë. Për shkak të kompetencës lëndore të hetimit, dosja penale i kaloi Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kjo e fundit vazhdoi hetimet për dy vjet, duke dokumentuar me prova linjën e trafikut dhe skemën që përdorej nga grupi kriminal. Detyrat e anëtarëve të grupit ishin të ndara. Në Shqipëri mësohet se kanë vepruar shtetasit Isuf Buna, Shefqet Vata, Endrit Dokle nga burgu “Jordan Misja” në Tiranë, Jorid Xhunga, Edmond Taulla dhe Vito Baba. Ndërkohë në Itali ishte vendosur shtetasja Eglantina Lulo, e cila besohet se ka kryer “pjesën italiane” të transaksioneve të drogës. Për këtë shkak, ajo është lënë në masën e sigurimit personal “ndalimi për të dalë jashtë shtetit”, ndërkohë për gjashtë të tjerët është vendosur masa arrest me burg. Biznesmenët nën akuzë Krahas hetimit penal të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, mësohet se ndaj personave të arrestuar nga aksioni “Ura” ka nisur edhe hetimi pasuror. Dy prej të arrestuarve mësohet se kanë disa biznese si bare dhe punishte të vogla birrash. Sipas prokurorisë, e cila rezervohet në deklarimin e të dhënave lidhur me hetimin e çështjes, shtetasi Endrit Dokle i vënë nën akuzë, tashmë për herë të dytë, akuzohet se ka marrë pjesë në trafikimin e heroinës, duke komunikuar nga burgu me anë të telefonave celularë.