TIRANE- Rregullorja e re e përfitimit të të gjitha llojeve të pensioneve të pleqërisë, që sapo ka hyrë në fuqi, është e “pavlefshme” për ish-të persekutuarit politikë. Kjo për shkak të një parregullsie në botimin e saj në Fletoren Zyrtare, që edhe pse në dukje “një lapsus”, ka për të shkaktuar shumë probleme për këtë kategori. Konkretisht, referuar dokumenteve që duhet të ketë një ish-i persekutuar për të përfituar pension, në këtë rregullore, mes të tjerash kërkohet “vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik”, si edhe “vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë”. Pas vitit ’05, me ardhjen ne pushtet të demokratëve, një ministri me të tillë emërtesë si ajo e Rendit Publik nuk ekziston më. Pasi sikundër dihet, Ministria e Rendit Publik është shkrirë me Ministrinë e Decentralizimit duke formuar Ministrinë e Brendshme.
Dokumentacioni
Për përfitimin e një pensioni pleqërie, dokumentacioni që kërkohet në bazë të rregullores së re përfshin një certifikatë lindjeje me foto, një certifikatë të gjendjes familjare si edhe një certifikatë martese, vetëm për kërkueset femra. Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, fakti i lindjes, martesës apo vdekjes së tyre provohet me certifikatë të veçantë lindjeje, martese, apo vdekjeje. Mes këtyre dokumenteve kërkohet edhe një fotografi për librezën e pensionit. Për vërtetimin e periudhës së sigurimit dokumentacioni që kërkohet është libreza e punës, vërtetim për vjetërsinë në punë dhe lloji i saj. Gjithashtu, duhet një vërtetim për periudhën e sigurimit, të lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi, dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare. Kërkohet edhe një vërtetim gjykate për njohjen e vjetërsisë në punë si edhe nga dega ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Është e domosdoshme edhe një vërtetim page, sipas të cilit është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në momentin e lënies së punës. Por dhe vërtetim i pagës mesatare neto për 10 vitet e fundit të punës.
Pension invaliditeti
Për të siguruar një pension invaliditeti, dokumentacioni që kërkohet është një certifikatë lindjeje me foto, ajo e gjendjes familjare, vërtetim i periudhës së sigurimit si dhe vërtetim për profesionin apo natyrën e punës. Duhet gjithashtu një dokument mjekësor për gjendjen shëndetësore (para fillimit të punës). Për ish-ushtarakët kërkohet një raport mjekësor i lirimit nga ushtria lëshuar nga KMU. pranë SQU për ushtarët që bëhen invalidë gjatë shërbimit ushtarak. Vërtetim për pagesën e paaftësisë për punë shkaktuar nga aksidenti në punë/sëmundje profesionale ose sëmundje e përgjithshme (për punëmarrësin), procesverbal i aksidentit në punë si dhe për rastet kur kërkohet të përfitohet nga dekreti 758 date 1.4.1994 “për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”. kërkohet një vërtetim nga organet e prokurorisë e gjykatës.


(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)