Emanuela Sako



Këshilli i Ministrave ka miratuar strategjinë që duhet ndjekur për përfitimin e ndihmës sociale gjatë këtij viti. Pjesë e kësaj skeme është dokumentacioni dhe të gjitha kushtet e përfitimit të ndihmës ekonomike për familjet e varfra në strategjinë që duhet ndjekur për vitet 2008-2013. Bashkitë dhe komunat gjatë këtij viti e në vazhdim do të identifikojnë familjet e varfra në varësi të gjendjes social-ekonomike. Vlerësimi i varfërisë për familjet do të bëhet nëpërmjet tre burimeve. Vlerësimi bëhet nga familjet aplikante që kërkojnë përfshirjen në skemën e ndihmës ekonomike, nga agjencitë shtetërore që veprojnë në nivel vendor, si dhe nga verifikimi në terren i situatës së varfërisë së familjeve në nevojë, duke përdorur disa tregues alternativë. Dokumentacioni plotësohet nga kryefamiljari, për burimet e të ardhurave, për pjesëtarët e familjes në moshë pune, vërtetim si punëkërkues, certifikatë familjare, certifikata e pronësisë, akti i marrjes në pronësi apo përdorim të tokës apo ndonjë prone tjetër. Por ka dhe një sërë rregullash të tjera kur familjarët ndërrojnë vendbanimin për dokumentacionin që ata duhet të paraqesin në vendbanimin e ri.

Dokumentacioni

Ministria e Punës në strategjinë e re ka lehtësuar procedurat në sajë të përmirësimit dhe thjeshtëzimit të dokumentacionit për vlerësimin e varfërisë së familjeve aplikante për ndihmë ekonomike. Aktualisht, familjet plotësojnë 6 dokumente, ndërkohë që është propozuar të plotësojnë 4 dokumente ose 33 për qind më pak. Nga këto, tre dokumente plotësohen vetëm një herë në vit dhe një dokument që plotëson pjesën informale të punës plotësohet një herë në tre muaj. Nga këto katër dokumente, dy janë deklarata që plotësohen nga aplikanti në familje, ndërsa dy merren në sportelet në agjencitë publike vendore. Më saktësisht, deklarata mujore e prezencës së anëtarëve të aftë për punë dhe vërtetimi tremujor nga zyra e punës do të njësohen në një dokument. Po kështu, certifikata e pronësisë dhe tapia e tokës do të njësohen në një dokument.

Vendbanimi

Në rastet kur familjarët ndryshojnë vendbanim, dorëzohet dokumentacioni i posaçëm, por rastet për përfitimin e ndihmës ekonomike janë më të pakta, pasi kufizohet numri i përfituesve. Kështu, pjesë e dokumentacionit që duhet të dorëzojë në vendbanimin e ri janë vërtetimi nga kryetari i komunës ose i bashkisë që është larguar për arsye pune para datës 1.8.1991, kopja e librezës së punës, si dhe certifikata e pronësisë së tokës. Ndërsa kur familja ndryshon vendbanimin nga qyteti në qytet, pas datës 1.8.1991 paraqet librezën e punës ku vërtetohet se në momentin e lëvizjes personi ka qenë i punësuar në vendbanimin e ri. Ndërkohë, familjet që ndryshojnë vendbanimin brenda 30 ditëve paraqesin vërtetimin nëse kanë përfituar ndihmë ekonomike në vendbanimin e mëparshëm.



Skema

Treguesit dhe dokumentacioni për identifikimin e familjeve



A. Dokumente që plotësohen nga aplikanti (kryefamiljari)

1. Deklaratë vjetore për burimet e të ardhurave ose mungesën e tyre.

2. Deklaratë mujore për prezencën e anëtarëve të familjes në moshë pune.

3. Vërtetim si “punëkërkues të papunë” për anëtarët e aftë për punë të familjes (çdo tre muaj).

4. Certifikatë të gjendjes familjare.

5. Certifikatë të pronësisë (tokës etj) nga ZR e Pasurisë së Paluajtshme,

6. Aktin e marrjes në pronësi\përdorim (tapia e tokës)ku regjistrimi i pronësisë ende nuk ka përfunduar.

B. Informacion nga agjencitë shtetërore që veprojnë në nivel vendor

1. Zyra e punës, për punësimin dhe papunësinë.

2. Zyra e tatim-taksave për ushtrim aktiviteti me leje ose pa leje.

3. Inspektorati i punës, për punësimin ilegal.

4. Zyra e sigurimeve shoqërore, për pension pleqërie\familjar.

5. Zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme (hipoteka).

6. Zyra e regjistrimit të automjeteve.

7. Seksioni pranë bashkive(urbanistika, tregu i lirë etj).

C. Informacion për raste të veçanta (masa kufizuese)

C1. Kur familja ndryshon vendbanimin nga fshati në qytet, pas datës 1.8.1991 paraqet:

1. Vërtetim nga kryetari i komunës\bashkisë që është larguar për arsye pune para datës 1.8.1991.

2. Kopjen e librezës së punës të noterizuar që ka qenë i punësuar para largimit nga fshati.

3. Certifikatën e pronësisë së tokës kur kanë përfituar tokë.



C2. Kur familja ndryshon vendbanimin nga qyteti në qytet, pas datës 1.8.1991, paraqet librezën e punës ku vërtetohet se në momentin e lëvizjes personi ka qenë i punësuar në vendbanimin e ri.

C3. Familjet që ndryshojnë vendbanimin, brenda 30 ditëve paraqesin vërtetimin nëse kanë përfituar ndihmë ekonomike në vendbanimin e mëparshëm.



D. Tregues alternativë për vlerësimin e gjendjes sociale të familjes:

1. Gjendja e banesës, sipërfaqja dhe aksesi për shërbimet bazë.

2. Pronësia mbi mjetet lëvizëse.

3. Anëtarë të familjes në emigracion.







28 Mars 2008