Për të tetin vit radhazi, në Amfiteatrin e qytetit antik të Durrësit do të nisë ekspedita trejavore, e cila pritet të përqendrojë punën jo në gërmime, por tek kantieri i studimit, dokumentimit dhe restaurimit në pjesën jugore të Amfiteatrit antik. Gërmimet e kryera ndër vite kanë nxjerrë në pah periudha të rëndësishme post-antike të amfiteatrit dhe të strukturave të monumentit të rëndësishëm romak, çka ka nxitur specialistët e Departamentit të Arkeologjisë të nisin publikimin shkencor të rezultateve të gërmimeve. Sara Santoro, bashkëdrejtuese e misionit arkeologjik, sqaron se këtë vit puna nuk do të fokusohet në gërmime të arenës së amfiteatrit, por në perfeksionimin e dokumentacionit tashmë të pasur, të mbledhur që prej vitit 2005  nga Universiteti i Parma-s e Chieti-t. Përgjatë këtyre tri javëve, përveç studimit të materialeve metalike dhe të qeramikës, të gjetura dhe të restauruara në vitet e kaluara, do të plotësohen rilevimet fotogrametrike dhe vëzhgimet arkeozologjike dhe arkeometrike. Ndërsa grupe të ndryshme teknikësh, arkeologësh dhe arkitektësh italianë do të fillojnë ndërhyrje konsoliduese dhe restauruese të muraturave të zbuluara, si dhe sistemimin e sipërfaqeve mbi bazën e një programi restaurimi. Ndërhyrja e studimit, dokumentimit dhe restaurimit, është financuar si një projektpilot nga Universiteti i Chieti-t dhe Ministria e Punëve të Jashtme Italiane, me bashkëpunimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Institutit të Arkeologjisë. Çdo ndërhyrje restauruese do të kryhet nën kontrollin e duhur dhe do të dokumentohet me shumë vëmendje. Ndonëse është një fazë e parë paraprake, nga arkeologët është konsideruar si e domosdoshme për projektin e madh të restaurimit dhe vlerësimit të gjithë  monumentit, të cilit mendohet ti kthehet sa më parë vezullimi i dikurshëm antik.                      l.m