Mediat amerikane raportojnë se një tjetër largim i bujshëm nga rradhët e personave pranë Donald Trump sapo ka ndodhur. Bëhet e ditur se avokati kryesor i presidentit të SHBA në çështjen e hetimit special të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e 2016 ka dhënë dorëheqjen.


John Dowd ka thënë se arsyeja e dorëheqjes është fakti se Donald Trump ka injoruar këshillat e tij.


Raporte të tjera thonë se Trump kishte humbur besimin në aftësinë e zotit Dowd për të trajtuar çështjen e prokurorit special Robert Mueller.


Në një e-mail në The Washington Post, Z. Dowd shkroi: “Unë e dua presidentin dhe i uroj atij gjithë të mirat.”


Prokurori Mueller po heton bashkëpunimin e stafit të fushatës zgjedhore të Trump me Rusinë, si dhe nëse presidenti amerikan e ka penguar hetimin për këtë çështje.


Javën e kaluar, Z. Dowd i bëri thirrje Departamentit të Drejtësisë që menjëherë të mbyllë hetimin e z. Mueller – fillimisht duke thënë se ai po fliste për presidentin.


Por ai më vonë sqaroi se ai po fliste vetë dhe jo në emër të zotit Trump. Ndërkohë Trump kohët e fundit ka filluar të kritikojë publikisht z. Mueller me emër, në vend të vetëm hetimit të nisur prej tij.


22 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)