Eduard Halimi vendosi sot të lërë mandatin e deputetit, të tërhiqet nga politika aktive për të ndjekur pasionin e tij, avokatinë.


Kështu e nis kryedemokrati Lulzim Basha, mesazhin e tij të falënderimit për deputetin e PD dhe një nga ish-ministrat e qeverisë Berisha, që vendosi sot të largohet nga politika aktive.


Basha shprehet se dëshira e tij për ta patur Halimin pjesë të ekipit, të grupit parlamentar të PD ishte e madhe, por po kështu është edhe respekti për lirinë e çdokujt për të marrë vendimet e veta për të ardhmen e tij.


Si një bashkëpunëtor i shkëlqyer, një jurist i mprehtë, Ed Halimi po largohet nga politika aktive pasi ka lënë gjurmët e veta në qeverisje me suksese të padiskutueshme në Ministrinë e Drejtësisë, dhe në opozitë po ashtu me ekspertizë të çmuar në të gjitha betejat tona për ligjshmëri, kushtetueshmëri, për luftë ndaj krimit e korrupsionit dhe përpjekjeve për zgjedhje të lira e të ndershme. Shpreh falenderimet dhe mirënjohjen nga zemra për kontributin e tij të çmuar, dhe bashkë me urimet e mia më të mira, edhe bindjen se me projektet e reja që ka, ai do të vazhdojë ti shërbejë ligjit dhe vendit, shkruan kreu i PD-së.


9 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)