Edhe ditës e sotme, Partia Demokratike ka kërkuar arrestimin e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.


Deputetja Oriola Pampuri, në një dalje për mediat deklaroi se që prej 22 tetorit, kur PD u tha shqiptarëve se Vangjush Dako është peshku i madh i dosjes 339 kryetari i Bashkisë së Durrësit po shpreson ta kalojë me heshtje krimin e blerjes së votave me bandat e Shijakut dhe të Durrësit.


Por sipas saj, heshtja nuk do ta ndihmojë Vangjush Dakon dhe se vendi i tij është në burg, bashkë me bandën e Avdylajve, nën akuzë për trafik ndërkombëtar droge nga Amerika Latine në Europë.


Ajo tha se përgjimet zyrtare të dosjes 339 nuk i lënë rrugë tjetër mikut të bandës së Avdylajve.


Vangjush Dako duhet të arrestohet! Përgjimet telefonike provojnë qartë masakrën e zgjedhjeve nga bandat e krimit në Durrës, në këmbim të favoreve që kryebashkiaku u ka bërë me paratë e taksapaguesve dhe pasuritë e bashkisë së Durrësit! Vangjush Dako, si simbol i pushtetit të berë me paratë e drogës së krimit të organizuar, nuk e ka vendin në zyrën e kryebashkiakut të Durrësit, por pas hekurave, si i kreu i shtabit kriminal të vjedhjes, blerjes dhe deformimit të zgjedhjeve në Qarkun e Durrësit! Provat janë aty, në dosjen e pambyllur 339! Mjafton që prokurorë të guximshëm dhe të pakapur nga Edi Rama, të bëjnë detyrën, u shpreh Pampuri.


Deputetja demokrate shtoi se aq shumë prova ka për krimin elektoral dhe lidhjen me bandat kriminale të Vangush Dakos, sa nga dosja 339 janë zbardhur nga media tre biseda të kryebashkiakut të Durrësit, që provojnë se ai ka qenë në komunikim të vazhdueshëm më bandën para, pas dhe pas zgjedhjeve.


Ajo tha se biseda e shkurtit 2017 me Altin Avdylaj, me nofkën Niçja, të cilit i premton një favor, e provon këtë.


Në vijim deklaroi se kryebashkiaku i Durrësit, pasi ka blerë vota, bashkë me trafikantët ndërkombëtarë të drogës, komunikon sërish me Niçen për të falenderuar kreun e bandës, Astrit Avdylaj, dy ditë pas zgjedhjeve.


Nga përgjimet, shqiptarët kanë parë sesi banda e Avdylajve, një pjesë e të cilës është në burg për trafik ndërkombëtar droge, i kërkon Dakos të ndërhyjë për të larguar forcat speciale. Dosja 339 me provat e krimit elektoral nuk i le asnjë shteg shpëtimi kryebashkiakut: Vangjush Dako do të arrestohet!, tha në mbyllje Oriola Pampuri


16 nëntor 2018 (gazeta-Shqip.com)