Ish-ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri do të paraqitet ditën e sotme me kërkesë të tij, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për dosjen e hapur për të në favor të gripit Habilaj, ku akuzohet për favorizim të trafikut të drogës.


Tahiri paraqiti në prokurori disa prova të reja, që sipas tij provojnë se nuk është i përfshirë në grupin e Habilajve, që po hetohet nga drejtësia italiane.


Pas daljes nga Prokuroria, Tahiri nuk ka folur shumë, por ka dhënë sinjale se çështja ndaj tij mund të marrë një rrjedhë tjetër: Paraqita diçka që ka rëndësi pozitive për procesin, por do flas pas 2-3 ditësh më konkretisht për çfarë bëhet fjalë, – tha Tahiri. Paraqita një provë që është decizive për këtë proces. Prisni 2-3 ditë dhe do të dëgjoni. Kam 1 vit që dëgjoj pafundësisht gjëra të ndryshme, prisni edhe pak. Unë nuk kam frikë asnjë, – iu përgjigj ai gazetarëve.


Hetimet ndaj ish ministrit janë shtyrë deri me 17 janar në pritjë të letërporosive.  Kjo është shtyrja e katërt e hetimeve.


Ish-Ministri i Brendshëm u akuzua prej opozitës si i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Kjo pas publikimit të përgjimeve të grupit “Habilaj” në Itali, ku emri i tij përmendej si personi që i mbështeste.


Në deklaratat për mediat, opozita akuzoi se Tahiri kishte udhëtuar me Habilajt në Greqi me automjetin që ai u kishte shitur më parë. Një tjetër akuzë ishte dhe udhëtimi i Tahirit me jaht drejt Malit të Zi.


Nga ana e tij, ish-Ministri i Brendshëm ka kundërshtuar akuzat teksa dorëzoi dhe mandatin e deputetit, ku kërkoi prej Prokurorisë një hetim të plotë.


29 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)