Pas disa muajsh hetime, gjatë ditës së sotme do të mësohet se çfarë do të ndodhë me çështjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.


Ish-ministri akuzohet nga Prokuroria për shpërdorim të detyrës dhe përfshirje në trafikun ndërkombëtar të drogës.


Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet që të vendosë mbi fatin e procedimit penal të nisur ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili akzuohet për trafik narkotikësh në kuadër të grupit të Habilajve, që u godit në Itali.


Prokuroria pritet të dalë me një vendim nëse do ta dërgojë për gjykim ish-ministrin Tahiri apo do të pushojë çështjen ndaj tij.


Ndërkohë, burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë pohuar se grupi i hetimit i kësaj çështjeje pritet të kërkojë dërgimin për gjykim të Tahirit. Kjo kërkesë pritet ti bëhet Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe do të jetë kjo e fundit që do të vendosë mbi fatin e dosjes.


Hetuesit kanë administruar deri tani përgjigjet e letër-porosive të mbërritura nga Greqia Italia dhe Mal të Zi, por pritet që të vije edhe përgjigja e një një letër-porosie që është dërguar së fundi në Itali.


Në këto vende, Tahiri ka kryer disa lëvizje me disa nga personat që janë në të njëjtën dosje hetimore me të. Ndaj ish-Ministrit, Prokuroria po zhvillon edhe një hetim pasuror, pas dyshimeve se një pjesë e pasurisë së tij është produkt i aktiviteteve kriminale.


Por deri tani, pas gati një vit hetim, nuk janë gjetur të ardhura të dyshimta. Llogaritë e tij bankare, të familjarëve dhe pasuritë e paluajtshme rezultojnë të justifikuara.


15 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)