Nga Edmond Ismailati


Motoja e njerëzve të thjeshtë, është po aq e heshtur dhe hyjnore, saqë ata asnjëherë nuk kanë punuar, sakrifikuar apo dhuruar gjithçka nga jeta e tyre, për t’u përjetësuar. Një ndër këta është edhe bija e Memaliajt dr. Ekaterina Ivashku.


16809498_10212851931598951_642936958_n


Ekaterina Ivashku u lind më 4 shkurt të vitit 1935 në Bukuresht me prindër Joana dhe Petre. Ajo ishte fëmija e tretë e familjes Ivashku, ku motrat e saj më të mëdha Gabriela dhe Lie e donin pamasë dhe kujdeseshin shumë për të. Arsimin fillor, tetëvjeçar, të mesëm dhe atë universitar e mori në vendlindjen e saj në Bukuresht, në kryeqytetin e Rumanisë. Po në vendlindje kreu studimet në Universitetin Carol Davila (1954-1959) për mjekësi (pediatri) dhe farmaceutikë. Përgjatë studimeve në vitin 1956 u njoh me studentin skraparli Behar Nuellari i cili studionte për mjek i përgjithshëm, njohje kjo me një spikatje të përbashkët, jo vetëm për nga bukuria e Ekaterinës dhe pamshmëria e Beharit (por që të dy ishin edhe studentë të rezultateve të shkëlqyera) që thelloi më shumë gravitetin e tyre shpirtëror, dashuri kjo që i çoi drejt martesës. Edhe pse ata bashkëjetuan përgjatë studimeve në një nga dhomat e konviktit të studentëve, nuk u bë pengesë për të vazhduar normalisht dhe kryer studimet me rezultate të larta.


16652026_10212851931678953_927821078_n


Në vitin 1959 ata vendosin të martohen dhe dasmën e bëjnë tek shtëpia e Ekaterinës dhe akoma më e madhe në ambientet e ambasadës tonë të akredituar në Bukuresht. Duke mos marrë asgjë parasysh, përveç dashurisë së tyre, Ekaterina vendos që të vijë të banojë në Shqipëri bashkë me bashkëshortin e saj Beharin dhe banojnë për dy vjet në qytetin e Beratit (1961-62). Në ato vite, si shumë mësues dhe mjekët emëroheshin e shkonin me punë në ato qytete, fshatra apo zona në nevojë edhe ata (nga mesi i viti 1962) u vendosën me punë në qytetin e Çorovodës.


Në Çorovodë, përveç familjes Nuellari (aq më shumë të kunatës së saj Razijes) edhe çorovodasit dhe banorët e këtij rrethi, i jepnin dita-ditës ngrohtësi, mikpritje dhe dashuri vëllazërore, natyrshëm kjo për t’a bërë dr. Ekaterinën që të ndihej sa më mirë edhe pse jetonte shumë larg pjesës tjetër të familjes dhe atdheut të saj. Ajo punonte me përkushtimin më të madh duke vizituar fëmijët dhe konsultuar prindërit e tyre për shtuarjen akoma më shumë të kujdesit të tyre ndaj shëndetit të fëmijëve.


Sipas dokumentave të kohës, deri në vitin 1968 ishte mjekja e parë femër në rrethin e Skraparit dhe nuk ishte e lehtë për atë kohë ku mentaliteti ishte ende i pathyeshëm tek pjesa më dërrmuese e popullsisë. Për përkushtimin, punën e saj të palodhur dhe me njohuritë e saj të shkëlqyera si pediatre me të cilat vazhdonte t’u shërbente fëmijëve skraparlliotë, e bënë atë që të kërkohej nga çdo prind i këtij rrethi për të vizituar fëmijët e tyre. Përgjatë kohës që kanë jetuar dhe punuar në qytetin e Çorovodës u erdhën në jetë edhe dy fëmijët e tyre Mireli (1962) dhe Dorina (1966), të dy me vendlindje Beratin.


Ështe për t’u përmendur se në këtë qytet ka dhënë një kontribut shumë të madh edhe bashkëshorti i saj dr. Behari, i cili me anë të njohurive të tij të shkëlqyera si mjek i përgjithshëm ishte i kudogjendur për t’u ardhur në ndihmë familjeve të bashkëpatriotëve të tij. Kjo e bën atë më të përkushtuar, por edhe të vlerësuar nga Ministria e Arsimit për njohuritë në profesionin dhe punën e tij, e si i tillë caktohet për të kryer një specializim në Tiranë (1968), për sëmundjet e brendshme. Këtë specializim, e kanë mbaruar vetëm katër mjekë nga i gjithë vendi. Emrat e tre të tjerëve janë Vasil Gjini, Hamet Kamberi dhe Niko Shomo. Me urdhër të Ministrisë së Arsimit, në vitin 1972, transferohen me punë në Tiranë dhe punojnë deri në vitin 1976.


16831238_10212851931638952_307222565_n


Ngaqë dr. Behari ishte dhe i organizuar me partinë, duhej që t’i përgjigjej edhe thirrjeve të saj për të jetuar dhe punuar atje ku kishte më shumë nevojë populli, transferohet përsëri nga Ministria e Shëndetësisë. Kjo ndodhi, pasi, si kuadro që ishte, duhet të qarkullonte me punë edhe në bazë, pasi atje kishte më shumë nevojë e sidomos në qytetet e vogla e me industri, siç ishte qyteti i Memaliajt dhe i banuar kryesisht me familje minatorësh. Ishte viti 1976 që shënon ardhjen e familjes Nuellari në Memaliajt ku vazhdojnë të banojnë dhe sot e kësaj dite.


E mbaj mend shumë mirë momentin e mbërritjes në Memaliaj të familjes Nuellari, madje (si shokë lagjeje) jemi mbledhur të gjithë rreth kamionit që shkarkohej me orenditë që kishin sjellë. Pati edhe nga ata bashkëmoshatarë të Mirelit që e ndihmuan për të transportuar orenditë e shtëpisë dhe për ta futur tek hyrja e re. Njëri prej tyre ishte Leonard Llaka cili u bë edhe komshiu i tij i ri. Nuk e dija se ishin mjekë dhe arsyen pse kishin ardhur nga Tirana, një lajm ky që u përhap shumë shpejt, por nga zymtia e mbasdites në të hyrë të vjeshtës, sepse fytyrat e tyre nuk shprehnin shumë qetësi. Ndoshta, pasi nuk ishte e lehtë të lije Tiranën, kryeqytetin ku të linte shijen se ekzistonte pak shpresë dhe nga momenti në moment, shpresa me mantelin e heshtur mund të përjetohej në forma dhe përmasa të ndryshme. Kjo më linte t’i shikoja si të detyruar për të jetuar bashkë me ne, ku në atë kohë konsiderohej edhe si një formë internimi.


Më vonë, pasi të gjithë të familjes Nuellari u stabilizuan dhe u pozicionuan, si fëmijët në shkollë dhe çifti Nuellari në punë si mjekë, binte në sy thjeshtësia e tyre, përkushtimi në punë, humanizmin përtej profesionit dhe orarit të punës, përshtatja me jetën e një qyteti minatorësh, familjarizimi dhe vëllazërimi i menjëhershëm me banorët e qytetit dhe më gjerë, u kthyen shumë shpejt në një familje e dashur dhe e respektuar për qytetin tonë. Vitet iknin dhe djali i tyre Mireli kreu një kurs dy vjeçar për shofer që në atë kohë, më shumë përgatiteshin edhe si mekanikë, pasi në rast lufte këta ishin edhe drejtuesit e kamionëve që do të viheshin në shërbim të ushtrisë në rastet në nevojë. Vajza e tyre Dorina, ishte më shumë e dhënë mbas mësimeve dhe arriti të studiojë për gjuhë të huaj siç ishte ajo frënge dhe punoi si mësuese në shkollën tetëvjeçare të qytetit tonë.


16808660_10212851933038987_1201025439_n


Çiftin Nuellari, e shikoja shpesh, jo vetëm kur ndodhesha në qendër të qytetit, kur ata ktheheshin nga puna dhe shkonin për në shtëpi përbri pallatit tim, apo kur i shikoja nga dritarja e apartamentit tim kur ngjisnin shkallët të lodhur nga ngarkesa që mund t’u kishte sjellë dita, por më shumë dukeshin të qetë. Në qetësin e tyre, mundohesha të shquaja atë të Ekaterinës ku tek memaliotët u pagëzua shumë shpejë me emrin Kate ose Kati. Shprehem për qetësinë e saj, pasi ngaqë ishte nga një popull i një shteti tjetër, largësia gjithashtu edhe nga nëna dhe motrat e saj, më dukej si një mall që herë herë shfaqej duke i fashitur edhe mimikën e saj e cila fitonte një shprehi prej mallëngjimi, por edhe një betim shpirtëror që i kishte dhënë dr. Beharit, betim ky që ishte më shumë se besa, ishte dashuria e pastër e cila u mishërua edhe me ardhjen në jetë të dy fëmijëve të tyre.


Me Mirelin djalin e saj, flisnim shpesh edhe pse unë isha më i vogël në moshë, por ngaqë shoqërohej për ca kohë edhe me vëllanë tim Agimin dhe komshiun e tij Leonard Llakën. Kur vinte tek unë të qepte ndonjëherë ndonjë palë pantallona apo këmishë (pasi kishte nga ato që i sillte mamaja), e pyesja që a dinte të fliste rumanisht, gjuhën e nënës së tij, dhe ai përgjigjej po, por mjaftueshëm për të komunikuar. dr. Ekaterina shkonte një herë në dy-tre vjet në Bukuresht për të parë nënën dhe motrat e saj, ndërsa dr. Behari, përveç tre javëve mbas martesës, nuk e vizitoi më familjen e saj dhe Bukureshtin. Ndoshta, ngaqë ishte dhe i organizuar në parti dhe mund të jetë ruajtur nga ndonjë ëndërr që mund të shikonte ndonjë nga të sigurimit të shtetit.


Edhe pjesëtarë të familjes së dr. Ekaterinës kanë ardhur në Memaliaj dhe kanë qëndruar afërsisht një muaj. Aty nga vitet 1980-1982 ka ardhur mamaja e saj Joana. E shikoja të rrinte në ballkonin përpara, por edhe kur dilnin më shumë shëtitje buzë Vjosës. Ajo ndërroi jetë para vitit 1990 dhe në përcjelljen e saj shkoi edhe Katia, madje kur u kthye (ishte veshur me të zeza dhe i mbajti veshur për një vit) dukej më shumë e pikëlluar se çdokush kur humbet nënën, ndjesi kjo pasi kanë jetuar larg njëra-tjetrës dhe nuk patën kohë të shpenzonin sëbashku apo për të qarë një hall, siç bëjnë nënë e bijë. I gjithë qyteti i shkoi për ta ngushëlluar, pasi edhe ajo u është gjendur atyre dhe ka marrë pjesë në hidhërimet që kanë përjetuar memaliotët. Në dy largesat (në një moshë të re) që ndodhën nga familja ime, si ajo e babait dhe e motrës time Afërditës, ka ardhur bashkë me gratë e lagjes dhe kanë qarë me zë, siç qanin me ligje nënat memaliote. Aty kam parë që ajo ishte shndërruar jo vetëm në një shqiptare, por edhe në një memaliote e vërtetë.


Në një nga vizitat e tjera nga të familjes së saj, ishte edhe ajo (e viteve 1984-85) prej motrës së saj të madhe që quhej Gabriela e cila kishte ardhur bashkë me bashkëshortin e saj Niqi Kikita. Koha e qëndrimit të tyre ishte afërsisht dy muaj. I kam përshëndetur disa herë përgjatë kohës që kanë qëndruar në Memaliaj, pasi shkëmbeheshim përgjatë kohës kur ata dilnin çdo mëngjes buzë lumit Vjosë dhe ne si djemtë e lagjes, dilnim për të bërë vrapin e mëngjesit deri tek rruga nacionale mbi kabinën e pompës së ujit që përdorej në atë kohë për ujitjen e tokave të fermës.


16808342_10212851931798956_1045402925_n


Ata dilnin edhe mbasditeve duke përshkuar rivierën e Vjosës që nga shkëmbi i Balenës (në jug të qytetit) e deri tek shkëmbi i Polakut në veriperëndim të qytetit. Madje ata kishin shkuar dhe eksploruar edhe pyllin e Karaules dhe Malin e Shëndëllisë. U pëlqente shumë shtrirja e qytetit në fushën e rrethuar me kodra dhe male që u ngjante si një kërthizë dhe e përqafuar nga tre anët nga lumi Vjosë si një shall vijues dhe i zhubrosur vende-vende atje ku formoheshin dallgëza. U pëlqeu shumë Uji i ftohtë i Tepelenës dhe ai i Vlorës, Butrinti dhe Apollonia, qyteti i Sarandës dhe ai i gurtë i Gjirokastrës, pa harruar edhe kryeqytetin tonë Tirana, etj.


Edhe pse nuk mund të komunikonin në shqip me memaliotët, e kuptonin respektin, mikpritjen e tyre. Këtë e shikonin jo vetëm tek familjet që kishin miqësi apo hyrje-dalje me familjen Nuellari, por edhe kur përshëndeteshin nga komshinjtë e këtyre të fundit apo banorët e tjerë të qytetit. Ata u larguan me përshtypjet më të mira, por edhe me brengë, pasi u mësuan të ishin çdo ditë me dr. Ekaterinën dhe do u mungonte deri sa të vinte dita që dr. Ekaterina do udhëtonte përsëri mbas disa vitesh. Të njëjtën gjë përjetonte edhe dr. Ekaterina, por më e vendosur, pasi familja i kishte dhuruar një tjetër kuptim të pashmangshëm për nga rëndësia e jetës së saj. Edhe mbasi u hapën dyert pas ndryshimit të sistemeve, familja Nuellari vazhdoi jetën normalisht në Memaliaj dhe shpesh shkonin të vizitonin edhe të afërmit e tyre. Këta ishin dr. Ekaterina me dy fëmijët e saj Dorinën dhe Mirelin ku këta të fundit, morën edhe nënshtetësin rumune.


Të dy mjekët si Ekaterina edhe Behari, punuan me përkushtimin më të madh për plotë 45 vjet, ku 30 vjet shërbyen me devotshmëri në qytetint e Memaliaj. Të dy dolën në pension në vitin 2006. Dalja në pension e dr. Ekaterina daton më 4 shkurt të vitit 2006. Mbas shtatë muajsh, më 28 shtator të vitit 2006 ndërroi jetë. Nga ky largim i parakohshëm, u hidhëruan pamasë jo vetëm bashkëshorti, dy fëmijët dhe nipërit dhe mbesat e saj, por të gjithë kolegët, bashkëqytetarët memaliotë dhe ata të zonave përreth. U përcoll me nderimet më të larta, sikur të ishte, motra dhe nëna jonë, madje u qa edhe me ligje edhe sipas zakonit, ashtu siç edhe ajo mësoi të qante.


Por memaliotët nuk mund të harrojnë kontributin që ka dhënë dr. Ekaterina, pasi ajo u ka shërbyer me përkushtim të lartë dhe dashuri për 30 vjet rresht, kujdes ky nga ana e saj që për memaliotët ishte e njëjtë me atë të një nëne që dinte t’u shërbente edhe me rrugë mjekësore. Për këtë, ajo u përjetësua nga memaliotët, vlerësim ky falë kujdesit të kryetarit të Këshillit bashkiak të asaj kohe, Z. Gëzim N. Shehu i cili i propozoi Këshillit që dr. Ekaterina Ivashku të shpallej Qytetare Nderi me motivacionin Për kontribut të shquar profesional, për pasionin për punën, ndihmën e pa kursyer në shërbimin e ruajtjen e shëndetit të komunitetit Memaliaj, vendim ky me Nr. 31 të datës 27. 7. 2007.


16837757_10212851931558950_1836994500_n


Po nën kujdesin dhe propozimin e Z. Gëzim N. Shehu, u bë e mundur që spitali i qytetit të Memaliajt të pagëzohet me emrin e saj. Vendimi i kësaj të fundit u mor më 5 maj 2011. Të dy vendimet mbajnë edhe firmën e kryetarit të Bashkisë së asaj kohe Z. Pëllumb Bodeci. Vonesa e ceremonië së dhënies së këtij vlerësimi për emrin që do të mbajë spitali i qytetit tonë, ka ardhur në sajë të një mungese angazhimi prej ish/administratës së bashkisë! Flitej se arsyeja e kësaj vonese kishte ardhur për mungesë fondesh.


Pllaka përkujtimore Spitali Dr. Ekaterina Ivashku (me mbishkrime për kontributin e saj) që është vendosur në fasadën e spitalit u financua nga dr. Edjola Braha, ndërsa pllaka tjetër me ndriçim orientues, u finacua nga bashkëshorti i saj dr. Behar Nuellari. Në ceremonin e organizuar më 4 tetor të vitit 2014, ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Bashkia e qytetit të Memaliajt, ku një meritë të veçantë për këtë nismë ka edhe (ish) drejtoresha e Spitalit të Tepelenës, dr. Edjola Braha e cila u sensibilizua mbas vënies në dijeni nga Z. Gëzim N. Shehu. Kjo ceremoni u hap nga dy vajza, nxënëse të shkollës tetëvjeçare të cilat recituan disa poezi kushtuar dr. Ekaterina Ivashkut. Gjithashtu, përveç fjalës së rastit që u mbajtë nga përfaqësuesi i Bashkisë, folën edhe të pranishëm të tjerë.


16790608_10212851931838957_657553779_n


Asnjë memaliot nuk mund të harrojë përkushtimin e kësaj mjekeje dhe nëne fisnike memaliote. Bashkëqytetarët memaliotë u hidhëruan shumë katër vjet më vonë mbas largimit të dr. Ekaterina Ivashku nga kjo jetë, pasi më 2010, i shkoi përgjithmonë pranë i nipi e saj Irnel Nuellari i cili ishte vetëm 22 vjeç kur studionte për mjekësi në Romë. Ky largimë tronditi të gjith ata që e dëgjuan dhe u hidhëruan pamasë, duke parë që tërheqja e trupit të tij, për ta sjellë në atdhe duhej të bëhej kundrejt një shumë të madhe lekësh të cilat familja Nuellari nuk i kishte. Kjo bëri që memaliotët të organizoheshin si qytet dhe të mblidhin të hollat brenda mundësive të tyre për t’i ardhur sadopak në ndihmë familjes Nuellari. Për këtë solidarizim ndjesie të bashkqytetarëve memaliotë, më mbrin edhe mua një mesazh privat nga Viron Shehu (vërsnik me të ndjerin) ku më vë në dijeni për lajmin e hidhur dhe ndihmën që kërkohej. U trondita shumë për këtë, pasi me të ndjerin Irnel isha bërë mik në facebook, një vit më parë (2009) se ai të largohej nga kjo jetë dhe shkëmbenim rregullisht mesazhe ku ai më dërgonte edhe të falat prej babait dhe gjyshit të tij. Menjëherë komunikova me disa memaliotë që banojnë në shtete të ndryshme të SH.B.A.-së dhe mundësuam të mblidhnim një shumë prej 1230 dollarësh dhe ja u postuam elektronikisht, bashkë me një telegram ngushëllimi (që përgatita) i cili u lexua nga bashkëqytetari Gëzim N. Shehu, në ditën e përcjelljes së të ndjerit.


Përmbajtja e telegramit dhe emrat e memaliotëve po i sjellë si më poshtë:


E nderuar Familja Nuellari!


Të nderuar miq dhe të afërm të saj! Memaliotët me banim në SHBA, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta e vëllazërore, familjes dhe të afërmve të bashkëqytetarit të tyre, të ndjerit Irenel Nuellari, i cili ndërroi jetë! Edhe pse jemi larg në keto momente, shpirtërisht ne bashkohemi dhe marrim pjesë në hidhërimin, që ka përfshirë zemrat e lënduar nga largimi i parakohshëm i njeriut tuaj të dashur dhe bashkëqytetarit tonë dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e deshën Irenel Nuellarin. I pa harruar kujtimi i tij.


Nga memaliotët me banim në SH.B.A: Thanas Hoda, Artur Thanas Hoda, QirjakoThanas Hoda, Skënder Haziz Hoxha, Agim Sherif Ismailati, Saimir Ibrahim Shehu, Angji Dilaver Zhupa, Fore Jorgo Kano, Sofo Haziz Hoxha, Mehmet Haziz Hoxha, Artur Haziz Hoxha, Elis Sofo Hoxha, Marjana Maliq Osmani, Vasil Qemal Kalemi, Edmond Gligor Kondo, Vladimir Malo Çovani dhe Edmond Sherif Ismailati.


 


Duke kaluar nga Albumi Historik i Memaliaj që kam hapur në faqen e Facebook-ut kushtuar Memaliajt, midis të tjerave, ndodhen edhe fotografit e familjes Nuellari. Të shumtë janë bashkqytetarët që kanë lënë komentet e tyre të cilat po i sjellim në vijim.


Flamur Shehu: Nje grua shumë fisnike, një mjeke shumë e vlerësuar, por dhe si nënë i jepte fisnikri qytetit tonë. Një përgëzim të veçantë komunitetit memaljot për këtë vlerësim që i bënë punës së kësaj gruaje të huaj por që për ne ka qenë një memaljote e fisshme. Gjëja më e mirë që ka bërë bashkia për gjithë këto vite që kanë kaluar mbas ndryshimit të sistemeve. Ajo, përveçse ishte një doktoreshë e mirë, por ajo ishte dhe një qytetare me shumë kulturë. Me vjen shumë keq dhe më shkakton një irritim të madh, kur mësoj se bashkia nuk ka patur fonde për ta financuar pllakën përkujtimore! Mësoj se një nga pllakat përkujtimore është financuar nga  bashkëshorti i saj dr. Behari ku të vetmet të ardhura që ka, janë prej pensionit. Padyshim që kështu përfundojmë, kur mëson se administrata e bashkisë së qytetit përbëhet 70% nga fshatarë dhe nuk dinë si të vleresojnë personalitetet e një qyteti, sidomos të qytetit tonë të vogël por me një histori të madhe.


Leonora Qesko Ceka: Dedikimi domethënës për pediatren e përkushtuar.


Luan Zifla: Një akt qytetar që duhet përshëndetur për nderimin e dr. Ekaterinës.


Pëllumbesha Kuçuku Bega: Respekt të madh për një njeri të thjeshtë.


Jano Kora: Respekt për të dy mjekët që shërbyen në Memaliaj për shumë vite. Respekt për dr. Ekaterina e cila shërbeu një jetë në qytetin tonë të dashur. Mirenjohje për këtë zonjë grua që erdhi nga Rumania dhe u shërbeu qytetarëve të thjeshtë të Memaliajt. Mbaj mend Dr. Ekaterinën kur vinte tek furra ku punonte babai im Andoni dhe sillte për të pjekur një byrek të përgatitur me mollë. Nuk kishim parë ndonjëherë byrek me mollë, por falë doktoreshës , mësuam si bëhej dhe filluam të bënim edhe ne.


Braniola Zhupa: Urime dhe respekt për doktoreshën e palodhur dhe miqësore që nuk u kursye asnjëherë për t’u kujdesur për shendetin tonë në qytetin e vogël e të bukur të Memaliajt. Një vlerësim shumë i drejtë per doktoreshën e nderuar dhe plot kulturë. Eshtë nder për qytetin tonë që e përjetesojmë emrin e saj, në spitalin ku punoi pa u lodhur për tre dekada derisa doli në pension.


Albert Hodo: I meriton plotësisht të dyja vlerësimet, si Qytetare Nderi, por edhe pagëzimi i spitalit me emrin e saj. Një mjeke e përkushtuar dhe shumë fisnke! Ky vlerësim është një gjest finik që nga propozimi e deri tek legalizimi, të cilat tregojnë njëkohësishtë, jo vetëm vlerat si memaliotë, por edhe si shqiptarë!


Sokol Gjonça: Respekt! Një doktoreshë shumë e përgatitur dhe shumë e kulturuar!


Edlirjona Ballaxhiaj: Dr. Ekaterina Ivashku ose ndryshe siç i kam thërritur teta Katia kur kam qenë e vogel dhe e gjeja tek shtepia e gjyshes time Shefiko Llaka, pasi ishin komshinj. Do të kujtohet çdo herë për bujarinë dhe dashurinë që na ka falur. I paharruar u bë kujtimi i saj me dhënien e vlerësimeve prej Këshillit bashkiak, paharruar dhe respektin e bashkëqytetarëve të saj të cilët bashkë me atë qytet, ajo i donte aq shume jo vetem se bashkëshorti i saj ishte prej këtej, por sepse zemra e saj ishte shumë e madhe dhe kishte vend për çdo njërin nga ne.


Julian Shehu: Të tillë njerëz, janë vërtet nderi i qytetit tonë.


Thanas Hoda: Vlerësim i drejtë për atë doktoreshë të përkushtuar për t’u sherbyer banorëve të atij qyteti! Të dy mjekë të ndërgjegjshëm në detyrën e tyre humanitare! I kujtojmë me dashuri e respekt! Falenderojmë drejtuesit e Memaliaj për këtë vlerësim!


Klodiana Gjonça: Respekt për dr. Ekaterinën.


Ilirjan Shehu: Ja vlenë që spitali i qytetit tonë të marri emrin e dr. Ekatrerina Ivashku, sepe ka dhënë një kontribut të madhë për mbrotjen e shëndetit të bashkëqytetarëve të saj.


Shaqe Hyseni: Ju përshëndes me zemër, për këtë vlerësim të merituar!!! Grua, nënë, mjeke, kolege dhe një qytetare me shumë dinjitet. Jam emocionuar nga fakti, ku për vite të tëra ka lënë gjurmë të pashlyeshme tek ne të gjithë punonjesit e shëndetësis së qytetit të Memaliajt. I pa harruar kujtimi saj dhe respekte të pa fund.


Elmazi Shehu: Respekt të madh për dr. Ekaterinën, jo vetëm si një pediatre e përkushtuar, por edhe si një nënë dhe bashkëqytetare e mrekullueshme.


Qerime Mullaraj Arapi: Ishte e veçantë. Na ka shërbyer dhe ka qënë shumë profesioniste. Të jashtëzakonshëm memaliotët me vlerësimin që i bëjnë dr. Ekaterinës. Sa shumë kujtime na vinë ndërmend tani, me spitalin që kishte doktorë dhe infermierë të mrekullueshëm. Më të mirët i kishim dhe na kanë shërbyer me devotshmëri në ato vite. Ndiheshin shumë mirë të gjithë kur shtroheshin në spital. Çdo gjë perfekt. Unë vetë shtrohesha shpesh se isha femijë delikat dhe këtë e them me vërtetësi. Me këtë rast, një respekt për të gjithë punonjësit e këtij spitali ndër vite në Memaliaj. Në mënyrë të veçantë për çiftin Nuellari dhe doktoreshën e nderuar në fjalë.


Majlinda Petro Haxhiaj: Respekt për dr. Ekaterinën! Me pak fjalë, një emër i merituar


Isak Vlashi: Nje vlerësim i drejtë për dr. Ekaterina Ivashkun e cila na ka shërbyer me një finesë dhe kulturë të jashtëzakoneshme.


Xhevit Kacorri: Shpreh konsideratat më të mira për doktoreshën.


Sokol Velaj: Eshtë një gjest shumë fisnik të vlersosh kontributin e atyre njerëzve që kanë dhënë për qytetin tonë, gjithashtu një mirënjohje të thellë për kontributin e dr. Ekaterinës. Ishte një grua e fisshme, një doktoreshë e papërtuar dhe e palodhur në detyrën e saj fisnike.


Arben Bakiri: Mirënjohje të thellë për kontributin që kanë dhënë mjekët bashkëshortë, Ekaterina dhe Behar Nuellari. Një vlerësim i bërë me meritë për Dr. Ekaterinën.


Agim Lika: Respekt për këtë grua që ju përkushtua me shpirt e zemër qytetarëve memaliotë. I paharruar kujtimi i saj.


Albert Zhupa: Respekt për figurën e dr. Ekaterina Ivashkut. I paharruar kujtimi i saj.


Fatmira Shehu: Çifti Nuellari, jo vetem një çift i bukur, por edhe njerëz, mjekë humanitarë dhe intelektualë të rrallë. Dr. Ekaterina ishte mjeke e përkushtuar. Ishte shoqe me mamanë     time dhe mike me familjen tonë. Një grua e mrekullueshme, e mallëngjyer për vendlindien e saj, por shumë e kënaqur me punën dhe shoqërinë e jetës në qytetin tonë. Këta njerëz nuk harrohen kurrë, pasi kanë dhënë shumë për mbrojtjen e shëndetit tonë.


Suzana Gjosha: Të mrekullueshëm! Dy njerëz me zemër të madhe që kanë lenë gjurmë të arta në qytetin tonë të dashur Memaliaj.


Margarita Dhespo: Doktoresh Ekaterina, një shembull në mjekësi.


Valbona Sulka Veizi: Zonjë dhe doktoreshë e përsosur  dhe e kujtojmë  gjithmonë me shumë respekt!


Fotini Mala: Doketoreshë me merita të mëdhaja dhe zonjë e mrekullusheme! I pa harruar kujtimi i saj! Respekt!


16808671_10212851931718954_1426188173_n


Kur ka rënë biseda me një të moshuar çorovodas, i cili quhej H. Guri dhe rridhte nga një familje autoktone të këtij qyteti, fliste me shumë respekt për çiftin Nuellari, e në veçanti për dr. Ekaterinën si një nuse e ardhur nga një atdhe tjetër që zgjodhi për atdhe të dytë Shqipërinë. Ai i dinte vendet ku ata ishin transferuar me punë dhe banuar prej familjes së tyre. Përgjatë bisedës ishte edhe pyetja që i drejtova dhe që kishte të bënte me lëvizjet e tyre dhe përfundimisht të stabilizuar në Memaliaj. Ai u përgjigj: “Për largimin e familjes Nuellari është folur me zë të ulët në çdo rreth të ngusht të çorovodasve. Të gjithë e donim, por dikush I organizuar në Parti që ka dashur të bënte vigjilentin, mund të këtë folur në Parti se dr. Ekaterina mund të pareqiste rrezikshmëri për uzinën e armëve të Poliçanit”, me që ishte objekt I rëndësisë se lartë. Ndërsa largimi nga Tirana, u bë për të gjitha familjet që kishin të huaj një prej prindërve. Arsyeja ishte, pasi ekzistonte frika se mos bashkepunonin me ambasadat e tyre. Në Memaliaj, edhe pse nuk paraqesnin rrezikshmëri, padyshim që midis atyre njerëzve, do kenë patur edhe ndonjë që i survejonte. Nëse i jepet e drejta çdo qytetari shqiptar që të mësojë se kush e ka spiunuar apo shantazhuar, padyshim edhe familja Nuellari, jo vetëm ka për të mësuar detaje, por edhe ka për t’u befasuar nga emrat e personave të ngarkuar. E them këtë, pasi përveç njerëzve të ndershëm, të mrekullueshëm, të thjeshtë, heronj të minierës dhe punëtorë të palodhur të këtij qyteti, midis tyre (si në çdo vend) ka patur edhe disa rufjanë, mediokër, shpirtligj, xhelozë dhe të paaftë të cilët me veprime të ulta mbanin vendin e punës apo ngriheshin në detyrë.”


P.S.


Në veçanti po e ritheksoj që është në nderin dhe dinjitetin e komunitetit të qytetit të Memaliajt emërtimi i spitalit tonë me emrin e nderuar të dr. E. Ivashkut, një rumune e shqiptarizuar, mund të themi që la Bukureshtin e saj që e quanin Parisi i vogël për të jetuar e punuar me përkushtim në qytezën minatore të Memaliajt. Kujtojmë këtu një bashkëlidhje historike, pasi Bukureshti ka qenë në periudhën e Rilindjes kombëtare, qendra më e rëndësishme kulturore, patriotike që solli pavarësinë e Shqiprisë. Aty u botua një pjesë e madhe e literaturës së Rilindjes, nga Naim e Sami Frashëri e Asdreni me himnin kombëtar e shumë veprimtarë të Rilindjes.


Kjo tregon edhe njëherë pjekurinë e memaliotëve dhe mirënjohjen e tyre për dhënien e emrit dr. Ekaterina Ivashku spitalit tonë.