Projektligji për goditjen dhe parandalimin e krimit të organizuar, i quajtur si ligji "Antimafia" do të shqyrtohet në Parlament të enjten e ardhshme në seancën e orës 17.00. Sipas kalendarit të punimeve që u miratua dje në mbrëmje, drafti që ka kaluar në Komisionin e Ligjeve, por është shoqëruar me kundërshtime si nga prokurorët e gjyqtarët, ashtu edhe nga politika, do diskutohet më 19 nëntor. Vendimi për futjen në rendin e ditës është marrë dje në mesditë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, e cila është zhvilluar në momentin e fundit nëpërmjet një seance "blitz". Drafti i kalendarit, por edhe i programit të punës për periudhën trejavore ka dalë vetëm në orët e pasdites dhe u janë shpërndarë deputetëve, që pasi u kanë hedhur një sy e kanë votuar pa një pa dy.