TIRANE- Qeveria po përgati një draft që parashikon faljen e gjobave, të cilat janë vënë nga Tatimet dhe Doganat, gjatë periudhës 1 mars e deri në 31 gusht të vitit 2013.

Kjo periudhë kohore përkon me fillimin e fushatës zgjedhore të vitit të kaluar e deri në dorëzimin e mandatit të administratës “Berisha”, e cila humbi ndaj koalicionit të majtë me votë plebeshitare.

Miratimi i nismës për faljen e gjobave, të vëna ndaj sipërmarrjeve gjatë periudhës kohore të lartpërmendur, është firmosur nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Arben Ahmetaj. Tashmë ky proces është në formën e një drafti, për të cilin po konsultohet edhe Ministria e Financave, së bashku me subjektet e biznesit.
 
Arsyeja
Gjatë fushatës zgjedhore, administrata fiskale ka gjobitur pa të drejtë dhe në mëyrë abuzive, biznese të ndryshme, për t’u bërë atyre persion politik. Kështu e kanë argumentuar hartimin e këtij drafti, zyrtarë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Sipërmarrjes dhe Tregtisë. Pritet që në një kohë të shkurtër Qeveria të bëjë zyrtare draftin për faljen e gjobave ndaj bisneseve, të vendosura nga Tatimet dhe Doganat, në mënyrë të padrejtë.

Kjo nismë është në sintoni me premtimin elektoral të PS-së, gjatë të cilës, atëherë lideri i opozitës, Edi Rama, denoncoi publikisht gjobitjet abuzive, sipas socialistëve, të administratës “Berisha”, duke shtuar se ato nuk do të njiheshin nga Qeveria e majtë.
 
Konsultimet
Për hartimin e këtij drafti po konsultohet edhe Ministria e Financave. Këtë e konfirmuan për “Shqiptarja.com” burime nga Financat. Nga ana tjetër, sipërmarrje të ndryshme, të cilat i kontaktuam, pohuan se edhe ato ishin pjesë e konsultimeve të këtij drafti.
 
 Shkrimi u publikua sot (14.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)