Një tjetër draft për SHKB-në që do të vëzhgojë Policinë e Shtetit. Rekrutimi do të bëhet edhe me urdhër të ministrit

TIRANË- Qeveria “krijon” mundësi të reja punësimi për shqiptarët. Kjo, jo nëpërmjet nxitjes së zhvillimit të aktiviteteve jopublike, siç ndodh natyrshëm në të gjitha vendet demokratike, por nëpërmjet hapjes së vendeve të reja të punës si informator apo siç njihen rëndom, si “spiunë” të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme. Nuk bëhet fjalë thjesht për deklarata mediatike, por për ndërmarrjen e një nisme konkrete ligjore nga Ministria e Brendshme, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe luftimin e korrupsionit në Policinë e Shtetit.


Projektligji


Qeveria ka miratuar para disa ditësh dhe ka paraqitur për miratim në Kuvend, projektligjin “Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme”, me anë të të cilit kërkon që ta përshtatë këtë lloj shërbimi me standardet e vendeve demokratike perëndimore, duke tentuar të përcaktojë rregulla të qarta dhe jo evazive në lidhje me objektin e veprimtarisë së këtij shërbimi, që përfshin parandalimin, zbulimin, dokumentin dhe hetimin paraprak të veprimtarisë kriminale e të shkeljeve të tjera ligjore nga punonjësit e Policisë. Kështu, midis të tjerave, drafti i paraqitur në Kuvend parashikon që një punonjës i SHKB-së, gjatë ushtrimit të detyrës së tij zbuluese, ka të drejtë të rekrutojë individë të thjeshtë jashtë radhëve të policisë, me qëllim marrjen dhe grumbullimin e informacioneve të duhura për persona apo çështje të ndryshme që janë objekt i punës së tij. Më konkretisht, neni 23, pika 7 e këtij projektligji, përcakton se “për mbledhjen e të dhënave SHKB-ja mund të përdorë bashkëpunimin e fshehtë me individë kundrejt shpërblimit, vëzhgimin (mbikëqyrjen) e fshehtë të personave dhe të mjediseve”. Ndërkohë që në funksion të këtij qëllimi, drafti, në nenin 11 të tij, parashikon dhe krijimin e një fondi të posaçëm për të lidhur kontrata sekrete dhe për të shpërblyer informatorët. Madje për informatorët parashikohet dhe një lloj statusi paprekshmërie edhe nga drejtuesit dhe organet më të larta shtetërore. Sipas nenit 12, pika 3 e këtij projektligji, përcaktohet se “SHKB-ja nuk është e detyruar t’i japë ministrit të Brendshëm, nga dhe varet, informacione që mundësojnë identifikimin e dëshmitarëve, të bashkëpunëtorëve të drejtësisë ose informatorëve”.


Kompetencat


Drafti përcakton dhe një sërë normash dhe përkufizimesh për mandatin dhe kompetencat e anëtarëve të SHKB-së. Në këtë mënyrë, për herë të parë, punonjësit të personelit hetues të SHKB-së i jepen atributet e Policisë Gjyqësore, ndërkohë që në rastet e kryerjes së operacioneve të fshehta, ai ka të drejtë të përdorë dhe identitet të rremë, procedurat për marrjen e të cilit rregullohen me urdhër të Drejtorit të SHKB-së. Ndërkohë që, në pikën 3, të nenit 22, parashikohet që edhe Shërbimet e tjera Informative janë të detyruara që të vënë në dispozicion të gjitha të dhënat e kërkuara prej kësaj të fundit. Gjithashtu, sipas këtij projektligji, SHKB-ja ka të drejtë të kontrollojë dhe të marrë dokumente, evidenca dhe informacione në formë të shkruar ose elektronike nga të gjitha zyrat, sekretaritë dhe arkivat e Policisë së Shtetit. Një tjetër ndryshim thelbësor që sjell kjo nismë ligjore është edhe tek objekti i punës së këtij shërbimi, i cili tashmë përqendrohet vetëm në Policinë e Shtetit, duke shmangur hetimet dhe survejimet e punonjësve të Ministrisë së Brendshme. Projekti parashikon gjithashtu që të shmangë përfundimisht influencat politike në radhët e punonjësve të SHKB-së. Por një qëllim i tillë duket se është demagogjik sa kohë vetë projektligji i paraqitur parashikon që rekrutimi i punonjësve të SHKB-së të bëhet kryesisht me anë të konkurrimit, por pa përjashtuar edhe mundësinë e punësimit direkt nga Ministri i Brendshëm, pa iu nënshtruar asnjë lloj konkurrimi. Punonjësit e SHKB-së tashmë do të kenë uniformën dhe simbolet e tyre dalluese nga punonjësit e tjerët e Policisë së Shtetit.