Shfaqja
“Njeriu i rërës” inskenohet pas përzgjedhjes në Tiranë si drama më e mirë

Pas shpalljes si drama më e mirë, “Njeriu i Rërës”(Der Sandmann) i Jonila Godoles është ngjitur më 28 maj në skenën e teatrit prestigjioz ”Burgtheater“ në Vjenë. Kjo dramë, u përzgjodh si më e mira në fillim të muajit mars nga një juri ndërkombëtare në kuadër të konkursit “Talking about Borders” 2009, organizuar nga Ministria e Jashtme Austriake, Ministria për çështje Europiane e Ndërkombëtare, P.E.N Clubi austriak, Ministria shqiptare e Kulturës dhe Teatri Kombëtar. Leximi skenik i dramës në sallën “Vestibül” në Burgtheater i përballi spektatorët austriakë gati me një thrill politik dhe policesk që u transmetua më së miri nën interpretimin e pesë aktorëve profesionistë të “Burgtheater”: Florentin Groll (në rolin e Plakut), Gerrit Jansen (Roberti), Moritz Vierboom (Hansi), Stefanie Dvorak (Marta) dhe Dunja Soëinetz (Ema). Nga impakti që pjesa pati te publiku austriak, u duk se tematika e dramës është aktuale jo vetëm për Shqipërinë që kaloi komunizmin e egër 45-vjeçar, por edhe për çdo vend tjetër që ka kaluar kohë të ngjashme në historinë e tij. Të pranishëm në këtë inskenim të dramës ishin të pranishëm z.Andreas Paëlitschek, drejtori i seksionit kulturor në Ministrinë e Jashtme të Austrisë, përfaqësuesi i Ambasadës shqiptare në Vjenë z. Egin Ceka, përfaqësues nga PEN Clubi austriak, si dhe gazetarë austriakë. Historia e ndërtuar në gjashtë skena kryesore dhe tri skena të ndërmjetme ka në qendër problematikën e amnezisë kolektive dhe individuale. Ndonëse në dukje nis si një konflikt mes brezash (babë e bir) ajo reflekton problematika të mbarë shoqërisë. Në fund të mbrëmjes, në emër të Ministrisë së Jashtme austriake, zoti Andreas Pawlitschek i dorëzoi autores Jonila Godole çmimin si fituese e konkursit, duke vlerësuar mundësinë që i dha publikut austriak për të qenë më afër një tematike shqiptare. Në fjalën e saj, Godole ka vlerësuar faktin që ishte e pranishme si autore në “Burgtheater”, duke e cilësuar si “streha dramatike e korifenjve të teatrit modern si Thomas Bernhard, Elfride Jelinek apo Samuel Beckett”. Pjesë e çmimit ishte ndër të tjera edhe përkthimi i pjesës në gjermanisht nga përkthyesi i njohur, Hans Joachim Lanksch, si dhe botimi i saj së shpejti në 11.000 kopje.








#