27-03-2012 / Gazeta 55

Procesi i gjykimit në rastin “Kleçka” po shkon drejt fundit. Pas vendimit të gjykatësve për mos pranimin e dëshmive të dëshmitarit X, sot pritet që avokatët mbrojtës të këtij rasti të deponojnë fjalën përfundimtare në gjykatë. Ndërkaq me 30 mars trupi gjykues pritet të japë verdiktin përfundimtar për këtë proces. Të akuzuar janë: deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, si dhe bashkëluftëtarë të tij. Ndërkaq polemika të ashpra në Kosovë kanë shoqëruar ekstradimin e Shemsi Nuhiut nga Zvicra në Serbi. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka deklaruar se ka komunikuar me drejtues të Zvicrës rreth rastit të ekstradimit të shtetasit kosovar Shemsi Nuhiu nga shteti zviceran në Serbi dhe se “ekstradimi është bërë për shkak se Nuhiu kishte edhe pasaportën e Serbisë krahas asaj të Kosovës”.
Kuçi është shprehur se kishte dërguar disa letra në Ministrinë e Drejtësisë së Zvicrës, si dhe kishte komunikuar drejtpërdrejt me ministren e drejtësisë, po ashtu edhe me ambasadën në Zvicër. Sipas tij Zvicra ka vendosur ta ekstradojë në Serbi sepse Nuhiu, për një kohë ka pasur pasaportë edhe të Republikës së Serbisë. Por zëvendës kryemistri I Kosovës ka këmbëngulur se Republika e Kosovës dhe ministria që që ai drejton i ka kryer të gjitha detyrat e mundshme që mund të bëjë një ministër dhe jo vetëm një herë, por disa herë. Ditë më parë Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ambasadën e Kosovës në Bernë, kishin kërkuar në vazhdimësi nga autoritetet zvicerane të mos ekstradonin shtetasin kosovar Shemsi Nuhiu në Serbi. Po ashtu, Ministria e Drejtësisë argumentoi se Serbia nuk ka kompetence dhe të drejtë për të lëshuar urdhër – kërkim ndërkombëtar kundër shtetasve kosovare, për dyshimin e kryerjes se veprave penale për Krime Lufte në territorin e Republikës së Kosovës, pasi kjo e drejtë hyn në kuadër të kompetencave dhe mandatit të autoriteteve Kosovare, në rastet kur ka dëshmi se janë kryer Krime Lufte në Kosovë.

...