Kemi ca drejtorë legena që po na nxijnë fytyrën me korrupsion e keqmenaxhim. Kjo ishte fjalia më e ashpër e kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e Grupit parlamentar të PS ditën e djeshme, para se ai ti kërkonte të vetëve një analizë të mirëfilltë të aktivitetit të nëpunësve në rrethe.


Kryeministri ndër të tjera urdhëroi edhe një mbledhje urgjente të Kryesisë së PS, e cila nisi rreth orës 09:00 të paradites së sotme dhe është vepruar me dorë të hekurt.


Mësohet se mbledhja e kryesisë ka përfunduar me shkarkimin e 11 kryetarëve të degëve në rrethe, për mospërmbushje detyrash e objektivash, neglizhencë dhe shthurje në ato degë bashkiake ku drejton opozita.


Kryetarja e Platformës së bashkëqeverisjes me qytetarët, Elisa Spiropali doli përpara mediave pas mbledhjes, duke thënë se ka pasur shkarkime për shkak të degradimit të marrëdhënies pushtet lokal-qytetarë.


Spiropali tha se lista e të shkarkuarve do të bëhet publike për mediat më vonë.


Ka një degradim të marrëdhënies pushtet lokal-qytetarë dhe po bëhet analizë e punës së drejtorëve dhe e qeverisjes në territor. Ne kemi shkarkuar kryetarë degësh të PS, tha Spiropali.


Ndërkohë, sa i përket çështjes së drejtorëve, do të jenë drejtuesit politikë ata që do të jenë më prezentë në territor dhe do të bëjnë analizën e çdo drejtorie rajonale.


23 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)