Në tre vitet e ardhshme do të ndërtohen shtatë burgje, për të ulur mbipopullimin

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, ka pranuar dje se një nga shqetësimet e institucionit që drejton është dhe përdorimi i celularëve nga të burgosurit. Shteti shqiptar ka nisur një fushatë për të eliminuar çdo aparat celulari nga qelitë e personave të arrestuar, pasi shpeshherë janë bërë burim i drejtimit të trafiqeve të ndryshme. Megjithëse ndodhen në burg ata arrijnë që të drejtojnë trafikun e drogës, të femrave dhe të armëve, madje janë urdhëruar edhe ngjarje të tjera kriminale. Disa javë më parë, për këtë fenomen foli edhe Kryeministri Berisha, i cili i kërkoi Ministrisë së Drejtësisë për të parandaluar këto trafiqe. Ndërkohë, disa ditë më parë, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, urdhëroi që të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit të kontrollojnë qelitë për sende të paligjshme.


Dibra foli dje edhe për mbipopullimin, teksa tha se gjatë tre viteve të ardhshme do të ndërtohen shtatë burgje të reja. Duke iu referuar raportit të Departamentit të Shtetit, Dibra tha se problemi i parë ishte mbipopullimi në burgje. Ai citoi pjesë nga raporti dhe tha se “për të ulur mbipopullimin, qeveria hapi pesë burgje të reja gjatë vitit dhe në muajin prill miratoi ligjin për hyrjen në fuqi të shërbimit të provës, ku i dha mundësinë personave që kanë kryer krime të lehta të lirohen me kusht”.


“Aktualisht shifrat e mbipopullimit është 333 persona, bazuar në statistikat e muajit mars 2010. Deri në vitin 2013, sipas programit IPA 2007 të Komisionit Europian është projektuar hapja e shtatë institucioneve të reja në vend”, tha Dibra, ndërsa foli edhe për problemet e tjera si regjimi i grave te Burgu 313 në Tiranë. Sipas raportit të DASH “mbi 4 gra mbaheshin në një qeli, përmasat e së cilës ishin 7 m². Ky është i vetmi institucion paraburgimi në vend, në të cilin mbahen gratë e paraburgosura. Ndërkohë, bazuar në letrat dërguar këtij institucioni i është kthyer përgjigje 455 të dënuarve dhe të paraburgosurve në lidhje me kërkesat dhe ankesat e tyre për transferim, njohje amnistie, falje, leje shpërblyese dhe të veçanta, njohje e ditëve të punës etj. Konstatim tjetër në raportin e DASH, bazuar në raportimet e Avokatit të Popullit, ishte se në burgun e Korçës dhe paraburgimin e Durrësit të miturit mbaheshin në të njëjtin ambient me të rriturit. Në mënyrë më specifike u raportua se moshat nga 14-18 vjeç mbaheshin së bashku.








#