Driant Zeneli do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e 58-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në Venecias, cilësuar si një prej ngjarjeve më të rëndësishme të artit bashkëkohor botëror në të cilën Shqipëria është pjesëmarrëse në të cilën Shqipëria është pjesëmarrëse nga viti 2014 e në vazhdim në Arsenale. Edicioni i 58-të Ndërkombëtar i Bienales së Artit do të mbahet në periudhën 11 maj – 24 nëntor 2019, në Giardini – Arsenale të Venecias, Itali.


Fondacioni i Bienales, nëpërmjet Presidentit të saj z.Paolo Baratta, ka paraqitur z. Ralph Rugoff si kuratorin e Ekspozitës së 58-të Ndërkombëtare të Artit, me titull “May You Live in Interesting Times”, një shprehje e gjuhës angleze që për një kohë të gjatë risjell një mallkim të lashtë kinez, i cili ngjall epoka pasigurie, krize dhe çrregullimi; “Kohë interesante”, pikërisht si kohët që po përjetojmë.


Zeneli do të përfaqësojë Shqipërinë me projektin me titull Maybe the cosmos is not so extraordinary – Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm, nën kurimin e Alicia Knock, kuratore në Qendrën Pompidou në Departamentin e Artit Bashkëkohor, në Paris. Titulli merr shkas nga romani fantastiko-shkencor i autorit shqiptar Arion Hysenbegas, Drejt Epsilonit të Eridanit, i botuar në vitin 1983 (ribotuar i plotë në vitin 2018). Driant Zeneli (lindur në Shkodër, 1983), jeton dhe punon mes Tiranës dhe Milanos.


Vepra e Driant Zenelit sfidon limitet intelektuale dhe fizike, duke vendosur në skenë dhe duke performuar situata sureale dhe ironike, ndonjëherë dhe absurde. Shpesh puna e Zenelit identifikohet me ëndrrat, luan me arsyen, ndërkohë që ndërvepron me publikun. Në qendër të veprimit performativ, si dhe në punët e tjera të artistit ku përdoret gjuha e narrativës filmike, ndodhet ripërkufizimi i dështimit si çasti themelor për të krijuar një alternativë të re.


Në vitin 2008 Zeneli fitoi çmimin Ndërkombëtar Onufri në Tiranë dhe në vitin 2009 çmimin The Young European Artist Award, Trieste Contemporanea. Në vitin 2017 ai fitoi çmimin MOROSO, Itali. Driant Zeneli ishte drejtor artistik i Mediterranea 18, Bienalja e Artistëve të Rinj nga Evropa dhe Mesdheu, që u zhvillua për herë të parë në vitin 2017 midis Tiranës dhe Durrësit. Ai është gjithashtu bashkëthemelues i Platformës së Artit Bashkëkohor Harabel në Tiranë.


Disa nga ekspozitat e tij janë zhvilluar në: Passerelle, Centre dArt Contemporain, Brest, (2018); Mostyn Gallery, Wales, UK (2017); MuCEM, Marseille, (2016); Centre Pompidou, Paris (2016); GAM, Museum of Modern and Contemporary Art Turin (2013); ZKM, Karlsruhe (2012); MUSAC, Castiglia León. Spain,(2012); Prague Biennale 5 (2011). Alicia Knock është kuratore në Qendrën Pompidou në Departamentin e Artit Bashkëkohor, në Paris, të krijuar dhe drejtuar nga Christine Macel. Alicia Knock po punon për zgjerimin e këtij muzeu drejt Afrikës dhe Evropës Qendrore, nëpërmjet blerjeve dhe ekspozitave.


Përgjegjëse për ekspozitat e fundit të çmimit Duchamp (Kader Attia, Yto Barrada, Ulla von Brandenburg dhe Barthélémy Toguo, 2016, The most foreign country, gratë artiste nga çmimi Duchamp, Fondacioni Fernet Branca, 2017, Maja Bajevic, Joana Hadjithomas dhe Khalil Joreige, Charlotte Moth, Vittorio Santoro, 2017), ajo është gjithashtu e përfshirë në projektin e ri të Qendrës Pompidou, Galerie 0, me qëllim kthimin e tij në laborator për praktika të reja.


Për ceremoninë e hapjes së kësaj hapësire të re (Museum On/Off, 2016) ajo ftoi artistë dhe kuratorë të administronin hapësirën për të promovuar muzeun si një përvojë më vete. Instalimet nga Otobong Nkanga, Meschac Gaba, Ahmet Ogut dhe Arseny Zhilaev, ofruan sfondin për trillime në evolucion të vazhdueshëm.


Muzeu u kthye një vend jo për ekspozim, por për prodhim, riprodhim dhe interpretim. Në praktikën e saj kuratoriale, Alicia Knock përpiqet të eksplorojë formatin e ri të ekspozitës, duke vënë në dyshim vetë muzeun përmes projekteve multidisiplinare, siç është retrospektiva e kuruar në vitin 2017 për regjisorin Harmonia Korine.


2 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)