Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Vlorës, Skënder Damini, i cili ishte njëri prej tre anëtarëve të trupës gjykuese që dha aprovimin e uljes së dënimit të Dritan Dajtit nga burg përjetë në 25 vite, ka kërkuar në Gjykatën për Krime të Rënda pushimin e çështjes dhe kthimin e celularit të sekuestruar.


Nga ana tjetër, i biri, Lisien Damini, ka kërkuar kthimin e 17 mijë eurove të sekuestruara, me pretendimin se janë të justifikuara dhe me dokumentacion përkatës.


Gjyqi i zhvilluar i ndarë, me gjyqtare Liliana Bakun vendosi refuzimin për të dy kërkesat, lënie në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë.


Më 15 shkurt 2010 Forcat Speciale zbarkuan në banesat e 3 gjyqtarëve, të cilët firmosën anulimin e dënimit me burg përjetë të Dritan Dajtit.  Gjatë kontrollit në banesën e Skënder Daminit u gjetën 17 mijë euro. Ndërkohë që gjatë bastisjes në Vlorë u gjetën 8 fishekë.


Ndërkohë Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimin pasuror për tre gjyqtarët që vendosën, pro kërkesës për gjykim të shkurtuar për Dritan Dajtin. Gjyqtarëve, të cilëve po u hetohet pasuria janë Petrit Aliaj, Skënder Damini dhe Aleks Nikolli, të cilët  janë të dyshuar për korrupsion.