TIRANE – “Ta tregoj unë ty, se çfarë do të të bëj... të shohim si do vejë puna...". Dritan Dajti nuk kursen kërcënimet në drejtim të prokurorit të çështjes Eugen Beçi.
I akuzuari si autor i masakrës së 7 gushtit 2009 në Durrës, ku ekzekutoi katër oficerë të skuadrës speciale operacionale, të cilët tentuan t'i vinin prangat, nuk hezitoi të shante e kërcënonte në sallën e gjyqit në drejtim të përfaqësuesve të organit të akuzës. Përplasja e Dajtit me prokurorin Beçi nisi kur i pandehuri përfundoi pyetjet që i drejtoi drejtuesit të lartë të policisë, Arjan Muçaj, i cili në 2009-ën, drejtoi operacionin për kapjen e tij, kohë në të cilën emri i Dritan Dajtit, renditej i pari në listën e të shumëkërkuarve. I pandehuri Dajti pasi ka përfunduar me pyetjet në drejtim të dëshmitarit Muçaj, i ka kërkuar kunatit të tij, Erges Xhoxhi, t'i drejtojë ai ndonjë pyetje. Për t'i ardhur në ndihmë, Dajti i ka dhënë kunatit të tij, me të cilin ndodhet i ulur në të njëjtin kafaz, një fletore.

Prokurori Eugen Beçi ka shprehur shqetësimin pranë trupës gjyqësore, duke kërkuar ndërprerjen e komunikimit mes të pandehurve. Kryesuesja e trupës gjyqësore, Nertina Kosova, ka urdhëruar punonjësit e togës së shoqërimit, që të marrin masa, që i pandehuri Dajti të mos shkëmbejë sende, qoftë edhe fletore me të akuzuarin tjetër, Erges Xhoxhi. Teksa policët e burgjeve i janë afruar të akuzuarit për masakrën e 7 gushtit 2007, duke e rrethuar atë, me qëllim që të mos kishte mundësi komunikimi, Dritan Dajti ka shpërthyer me të shara në drejtim të përfaqësuesit të prokurorisë.

Me urdhër të kryesueses së seancës policia e ka nxjerrë jashtë të pandehurin, i cili ka vazhduar në të tijën, duke kërcënuar prokurorin Eugen Beçi, teksa i drejtohej me fjalët se "do të ta tregoj se çdo të të bëj". Gjykata ka urdhëruar nxjerrjen nga salla e gjyqit edhe për të pandehurin, Erges Xhoxhi, kunatin e Dritan Dajtit.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)