Dy grupe shqiptare, të organizuara në trafikun e narkotikëve dhe qenieve njerëzore drejt Anglisë janë shkatërruar në Itali.


Të dyja organizatat kriminale ishin të lidhura me njëra-tjetrën, pasi kishin ngritur një “urë” lidhëse mes Italisë dhe Anglisë për të lejuar qytetarët shqiptarë të mbërrinin në territorin e Mbretërisë së Bashkuar në mënyrë të paligjshme.


Të 18 personat e dyshuar akuzohen për emigracion të paligjshëm dhe trafik ndërkombëtar droge.


Por si u zbulua ky rrjet i fuqishëm i  trafikut të drogës dhe njerëzve?


Ishte policia angleze ajo që nxori zbuluar bandat, pasi identifikuan një grua shqiptare që mbërriti në aeroportin e Londrës me një kartë identiteti false me emër italian dhe menjëherë kontaktuan me palën italiane për të mbajtur në survejim dy bandat shqiptare.


Baza e organizatës ishte në Itali, midis komunave Guidonia dhe Fonte Nuova dhe menaxhohej nga shqiptarët.


Duke përfituar nga zona që kishte shumë shqiptare që jetojnë prej vitesh, ata krijuan kontakte të shumtë për furnizim me drogë. Lënda narkotike mbërrinte në Puglia dhe më pas transportohej në Romë me makinë. Hetimet kanë bërë të mundur identifikimin e blerësve të ndryshëm. Në total u sekuestruan 150 kg marijuanë dhe dhjetëra doza me kokainë dhe heroinë.


Gjatë hetimeve u zbulua edhe organizata tjetër e lidhur me të parën, e përbërë nga disa shqiptarë dhe një banor italian në provincën e Napolit. Organizata dërgonte shqiptarë në Itali pa dokumente, më pas ata dërgoheshin në Angli me dokumente në emër të qytetarëve italianë.