E shtuna e Superiores vjen me dy sfida shumë interesante. Pas rëndësisë që kishte takimi i djeshëm mes Partizanit dhe Flamurtarit, vëmendja sot do të jetë e gjitha në Korçë, aty ku Skënderbeu pret në një sfidë që rikthehet pas 1 sezoni dhe që premton emocione të shumta. Në 18:45 në stadiumin Skënderbeu parashikohet një duel shumë i ashpër dhe spektakolar mes bardhekuqëve të Shehit dhe bardhebluve të Ze Maria.


Skënderbeu është me moralin në qiell pas asaj fitoreje bindëse në Vlorë ndaj Flamurtarit ndërkohë që në krahun tjetër Tirana synon vazhdimësinë pas suksesit ndaj Luftëtarit edhe pse duhet pranuar që kalendari në këto dy javë është shumë i vështirë për 24-herë kampionët të cilët menjëherë pas Skënderbeut do të sfidojnë Partizanin në derbi.


Hoxhallari do të jetë mungesa e madhe e Tiranës ndaj korçarëve, ndërkohë në krahun tjetër është në dyshim për tu aktivizuar mesfushori Bruno Dita, teksa në stol do të rikthehet pas një mungese të gjatë për shkak dëmtimi Ardit Hoxhaj. Në orën 15:45 do të zhvillohet një tjetër takim interesant ai mes Luftëtarit dhe Teutës me Gentian Mezanin që do të debutojë në stolin e bluzinjëve.


 


Koha e eksperimenteve ka përfunduar te Luftëtari. Ashtu si një vit më parë edhe këtë edicion gjirokastritët e nisën me një projekt të ri, duke i besuar një emri të huaj. Milos Kostic rezultoi dështimi i radhës për bluzijtë, që iu rikthyen një emri të superiores. Më në fund, drejtuesit janë bindur se koha e testeve përfundoi dhe, ashtu si një vit më parë, shpresojnë që afrimi në stol i një produkti vendas do të shkundë ambientin dhe ta rikthejë në rrugën e duhur ekipin.


Gentian Mezani ishte një emër i cili qëndronte prej kohësh në tavolinën e presidentit Grigor Tavo, që më në fund u bind se kampionatin e njeh më mirë një trajner shqiptar se një i huaj. Impakti në Gjirokastër për këtë afrim është pozitiv dhe tifozët duken të kënaqur që koha e eksperimenteve përfundoi.


Ndaj Teutës nuk pritet mrekullia, pasi koha në dispozicion të Mezanit për të përgatitur këtë duel nuk është e mjaftueshme dhe për më tepër që trajneri vlonjat nuk ka në duar shkopin magjik. Por ajo që ndihet është ndryshimi i atmosferës në skuadër dhe përreth saj.


Teuta nuk është një kundërshtar i thjeshtë, por një ekip që ka ndryshuar edhe në filozofi dhe me objektiva madhorë këtë edicion. Problematika e të dyja skuadrave është shënimi i paktë i golave. 90-minutëshi e javës së 5-të premton spektaktël, duke parë mënyrën se si e konceptojnë futbollin Mezani dhe Shkëmbi.


 


22 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)