Nga Mero Baze


Sali Berisha nuk është një kryeministër që investohet kot. Njoftimi i dy ditëve më parë kur ai priti dy shqiptarë emigrantë në SHBA, njëri prej të cilëve me mbiemrin Frangaj, si përfaqësues të një kompanie që do të investonte miliarda në Shqipëri, duhet të jetë një hall i madh për të. Kompania, e cila pretendon të jetë e madhe, ka shpallur falimentin para pesë vjetësh dhe kjo mund të verifikohet nga një kërkim i thjeshtë në Google. Ajo është thjeshtë një kartëvizitë, e cila përdoret për të krijuar autorësinë anonime të bizneseve të familjes Berisha.


Berisha nuk hyn tek kryeministrat naivë, që nuk di kë pret në zyrë apo që gënjehet nga dënglat e investitorëve piramidalë. Ai tani ka një problem serioz. Pushteti po i degradon dita- ditës dhe fuqia politike për të mbrojtur bizneset dhe operacionet e gllabërimit të Shqipërisë, po i bie. Mekanizmi më i ri që ai ka gjetur për të fshehur gjurmët e familjes së vet në biznese, janë fondet anonime të investimeve, që tashmë nuk po vijnë më nga Qiproja, siç ja nisi Argita dhe Fazlliçi në fillime të pushtetit, por nga Anglia apo SHBA, me emra anonimë ose shqiptarë emigrantë. Kështu ata hapin një faqe interneti, vënë si lajm të parë takimin me Berishën dhe pastaj turren nga Gjiri i Lalëzit, në Vlorë, për të justifikuar planin e tyre të biznesit. Po të shikosh tokat ku vendosen, janë fiks tokat e përfolura si të blera nga sekserët e Familjes, duke shpikur ose gjetur pronarë të dyshimtë dhe pastaj duke ua dhënë për ta rikthyer kundrejt një fitimi pasurinë tonë kombëtare. Në funksion të kësaj manovre Berisha ka vënë në lëvizje gjithë legjislacionin e shtetit shqiptar, duke bërë një ligj për mbrojtjen të investimeve të huaja nëse del problem me pronësinë në të ardhmen, apo duke privatizuar dhe dhënë me koncesion çdo pikë turistike të Shqipërisë, qoftë ky repart ushtarak, kala e vjetër apo shtëpi të shërbimit qeveritar. Për tua hequr nga duart pronarëve realë vilat qeveritare në bregdet, po shpiken emigrantë që japin emrin me qera duke i marrë ato në përdorim për 30 vjet dhe pas tyre qëndron në të vërtetë Familja, e cila ka gjetur kështu një mënyrë për ti marrë këto pasuri pa asnjë lek, dhe ndërkohë tua heqë nga duart pronarëve. Një rast tipik i kësaj natyre është ish- vila e Mehmet Shehut në Vlorë dhe një sërë vilash të tjera qeveritare nga Durrësi në Sarandë që po përgatiten të hidhen në treg.


Pas koncesioneve dhe privatizimeve realisht qëndrojnë tre- katër biznesmenë të oborrit dhe vetë Familja Berisha që drejton këtë operacion, duke përdorur dhe asetin e tyre kryesor, Sali Berishën.


Për gjithë ata që e njohin vështirësinë që ekziston për ta takuar atë për një vizitë biznesi, e kupton fare qartë se në çfarë halli është kur ka pritur një biznesmen si ai që priti ditën e shtunë, i cili nuk ka jo më pare, por as kompani dhe as punëtorë, por vetëm kartëvizitë. Përpjekja për të prodhuar fonde investimi fantazmë, ku derdhen paret e fituara në mënyrë të paligjshme në Shqipëri, është tregues i qartë se Berisha po e zgjat qëndrimin në pushtet për të rregulluar letrat e bizneseve të veta. Egërsia me të cilën ai flet për kryeprokuroren, kërcënimet që ai bën për presidentin dhe marrjen e gjithë pushteteve, futja e qartë në konflikt me Perëndimin dhe rritja e retorikës anti-perëndimore, ka vetëm një arsye. Ai do që askush tia rrisë stekën betejës kundër tij duke u përqendruar tek politika, ndërsa vetë bashkë me oborrin e tij, natë e ditë po rrinë të rregullojnë letrat e miliardave që kanë fituar duke i pastruar ato në fonde investimesh fantazmë dhe në investitorë që në SHBA i kanë zyrat në pallate me qera, dhe në Shqipëri marrin makina me qera për tu dukur që kanë vetura.


I futur në spiralen e panikut të humbjes së pushtetit pas 21 Janarit, dhe sidomos pas fillimit të procedimit të vrasësve, Berisha duket se është duke bërë një përpjekje qesharake të zhvendosë vëmendjen tek problemet ekonomike, duke mbajtur fjalime si ai i djeshmi, ku Evropa duhet të marrë shembull atë se si qeveriset. I futur në makth për të ardhmen e miliardave të paligjëruara të Familjes së tij, ai mendon se duke vizatuar një Shqipëri të pasur dhe një ekonomi të suksesshme, njerëzit do të besojnë pastrimin e milionave të pushtetit të tij përmes fondeve fantazmë dhe rikthimit të pareve të tij në formën e investitorëve të huaj qesharakë, që herë pas here harrojnë ti thonë zoti Kryeministër dhe i thonë Babi i Zenit. Makthi i tij mbizotërues këto kohë, nuk i ngjan makthit të vitit 1997. Atëherë ai ishte i interesuar të ruante pushtetin me çdo kusht, kurse tani do të shpëtojë milionat me çdo kusht. Dhe ashtu si më 21 Janar, që pasi vrau e kishte mendjen si të fshihte gjurmët, dhe tani që i duket se pushteti është në rrezik, po nxiton të bëjë letrat e tyre. Ndaj mos u çudisni ta shikoni me emigrantë shqiptarë në SHBA, që mund të kenë mbiemrin Frangaj, Mane, Ulaj, etj. Mos u çudisni ta shikoni të flasë dhe për arsyet qesharake pse këta investitorë kanë besim dhe vijnë në Shqipëri. Është pak i panatyrshëm fjalori i tij, por e ka për herë të parë që ka miliona dhe sdi ku ti fshehë dhe si ti fshehë. Ndaj mos u nevrikosni kur flet për arritje ekonomike dhe as për Shqipërinë si fanar ndriçues në Evropë. Është në një hall të panjohur më parë për të. Është duke bërë letrat e milionave të pushtetit të tij me shpresë se mund ti shpëtojë.