Irlandezo-Veriorët rikthehen në “Qemal Stafa” pas 17 vitesh (ndeshja e fundit ka qenë në shkurt 1993, 1-2). Kundërshtarët e kuqezinjve në takimin e të mërkurës kanë mbërritur në Tiranë dhe do të zhvillojnë dy seanca stërvitore para sfidës së 3 marsit.

Mesfushori i Kombëtares, Klodian Duro, e konsideron një provë të rëndësishme këtë përballje. Në një konferencë për shtyp, futbollisti që luan në kampionatin qipriot me Apollon Limasolin theksoi: “Irlanda e Veriut është ndryshe nga skuadrat kundërshtare në grupin eliminator të “Euro 2012”. Kjo miqësore do të na vlejë për të krijuar një ide mbi grupin dhe të jemi gati për eliminatoret”.

Në lidhje me grupin eliminator dhe kundërshtarët e Kombëtares në ëndrrën për të marrë pjesë në një veprimtari të rëndësishme, autori i katër golave me fanellën kuqezi nënvizoi: “Mendoj se i kemi mundësitë për një renditje më të mirë se në eliminatoret e fundit. E rëndësishme është ta nisim mirë dhe të krijojmë një atmosferë pozitive. Por duhet ta pranojmë se grupi është shumë i vështirë. Objektivi ynë është të marrim gjashtë pikë me Luksemburgun dhe po aq me Bjellorusinë”.