Klodian Duro ka qenë i mbarë për Omonian në ndeshjen e parë të Kupës UEFA kundër ekipit shqiptar të Milanos së Kumanovës në takimin e zhvilluar në Nikosia, përballë 15 mijë tifozëve të etur për fitore.
Ekipi qipriot fitoi me rezultatin e pastër 2-0, me nga një gol në cdo pjesë, ndërkohë që Duro dha asistin e golit të dytë. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ishte ndër më të mirët në fushë.
Duro në minutën e 19-të realizoi një gjuajtje spektakolare, dhe një minutë më pas Leonard Kukaj realizoi në minutën e 20-të një autogol në favor të Omonias, në përjekje për të devijuar topin.
Në pjesën e dytë, Duro pati një mundësi të artë në minutën e 60-të, ndërkohë që në minutën e 64-t, krosoi për Anton Zoglarin, i cili me kokjë realizoi edhe golin e dytë. Duro pati një mundësi tjetër për të shënuar golin e tretë të Omonias në minutën e 69-të. Klodi luajti gjatë gjithë takimit.
Kjo ishte edhe takimi i parë ndërkombëtar në kompeticionet evropiane i skuadrës shqiptaro-maqedonase. Ndeshja e kthimit do të luhet, më 31 korrik në Shkup.