DURRES - Katër persona të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli janë kapur dhe më pas arrestuar nga struktura Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Durrës. Ata kërkoheshin nga drejtësia italiane për vepra penale kryesisht në fushën e shfrytëzimit të prostitucionit dhe trafikut të drogës.
Andi Agasi, 37 vjec, banues në Durrës, kërkohej nga Interpol Roma, pasi ndaj tij autoritetet gjyqësore të Catanzaro-s, kanë lëshuar Urdhërin e Arrestit të datës 11 korrik 2005 për veprat penale të parashikuara nga Kodi Penal Italian dhe përkatësisht nga neni 110 dhe 73 i Ligjit për drogën dhe Nr.309/90 për bashkëpunim në trafikimin e narkotikëve. Për këtë, ai është dënuar nga Gjykata e Arezzo-s me 20 vjet burg.
Gëzim Lila, 46 vjec, banues në Xhafzotaj kërkohej pas një urdhër arresti të lëshuar nga Gjykata e Catanzaro-s në Itali në vitin 2005 për shfrytëzim të prostitucionit dhe shfrytëzim në formën e skllavërisë.
Roland Domi, 42 vjec, banues në Durrës, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma. Ndaj tij, autoritetet gjyqësore të Genova-s kanë lëshuar urdhër arresti për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit, bazuar në nenin 81, 110, 416 të Kodit Penal Italian. Dënimi maksimal i parashikuar për këtë vepër është 24 vite burgim.
Ilir Dervishi, 40 vjec, banues në Sukth, Durrës, ishte shpallur në kërkim nga Interpol Roma, pasi ndaj tij autoritetet gjyqësore të Genova-s, Itali, kanë lëshuar një Urdhër Arresti për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit, parashikuar nga neni 81, 110, 416 të Kodit Penal Italian si dhe nenet 3 dhe 4 të Ligjit për prostitucionin. Dënimi maksimal që mund të jepet për shtetasin e mësipërm është 15 vjet burg.
Policia shqiptare ka kryer të gjitha praktikat e nevojshme proceduriale lidhur për të ekstraduar personat e mësipërm drejt Italisë.
(im/shqiptarja.com)