DURRES- Një traget që transportonte kamionë të tonazhit të lartë, është larguar nga porti detar i Durrësit në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pa njoftuar kapitenerinë dhe policinë kufitare të këtij porti.

Trageti "Mermaid" me flamur lituanez i tipit RO-RO, i cili shërben për transportin e kamionëve të tonazhit të lartë, është larguar në orët e para të mëngjesit të së premtes, nga porti i Durrësit pa iu nënshtruar procedurave portuale sipas ligjeve ndërkombëtare të detit.

Pak kohë më parë mjeti lundrues me flamur lituanez, me një kapacitet transportues për 50 kamionë dhe 90 pasagjerë ishte futur në kantier për riparim,

Ekuipazhi nuk ka njoftuar as kapitenerinë e portit të Durrësit dhe as policinë kufitare të këtij porti për vendimin që kishte marrë, por është larguar heshturazi duke përfituar dhe nga errësira dhe është nisur në drejtim të Brindisit në Itali.

Me të mësuar ngjarjen Autoriteti Portual i Durrësit ka ngritur në alarm policinë kufitare, dhe ka njoftuar homologët e saj të porteve italiane për atë që kishte ndodhur, duke kërkuar ndihmën e tyre. Por, nga ana tjetër e Adriatikut nuk ka ardhur asnjë reagim dhe trageti ka vazhduar grafikët sipas programit të tij.

Burime nga kjo polici bëjnë me dije se shkaku i largimit të tragetit në këtë mënyrë kanë qenë mosmarrëveshjet që kanë lindur në mes pronarëve të huaj të tragetit me portin detar dhe me kantierin detar, të cilin e zotërojnë turqit e kompanisë "Kurum". GSH, duke iu referuar burimeve konfidenciale shkruan se trageti kishte rreth 40 apo 50 mijë euro detyrime të pashlyera në arkën e APD-së për shërbimet e marra prej saj, si dhe një faturë akoma më të lartë financiare ndaj subjektit privat, që në këtë rast është kantieri detar "Kurum sh.p.k".

Trageti, i cili transportonte kamionë të tonazhit të rëndë në linjën Durrës-Trieste dhe anasjelltas kishte rreth 6 muaj që është parë të hyjë e të dalë nga porti i Durrësit.

Sapo po përfundonte riparimin kapital në kantierin detar "Kurum sh.p.k", ka ndezur motorët dhe është larguar nga porti i Durrësit duke iu shmangur procedurave portuale.

Vetëm 3 vjet më parë u "arratis" draga daneze, e cila po thellonte portin duke i shkaktuar një dëm disa milionë dollarësh shtetit tonë
(s.g/BalkanWeb)