Hyrja e qytetit të Durrësit prej disa javësh ka nisur të mbushet me mbetje urbane, të hedhura natën nga firma private ndërtimi, duke krijuar imazh aspak tërheqës për banorët dhe vizitorët. Vetëm pak metra larg tabelës ku shkruhet “Welcome to Durrës”, e cila është vendosur në hyrje të qytetit dhe fton turistët që të shijojnë bukuritë e tij, syri të zë grumbuj të mëdhenj me mbeturina. Një situatë e tillë është krijuar edhe në krahun e majtë të rrugës, ku malet me mbeturina hekuri kanë pushtuar sipërfaqe të mëdha territori. Durrësi identifikohet me Urën e Dajlanit, aty kryqëzohen rrugët që të çojnë brenda në qytet, në plazh, në Tiranë dhe në Shijak. Të gjitha rrugë të ndërtuara gjatë viteve të fundit të cilat kulmuan me ndërtimin e mbikalimit të madh, kurse hyrja e Durrësit zë një sipërfaqe prej 4 ha tokë. Situata në hyrje të qytetit është një rrumpallë e vërtetë, pasi aty vihen re kontraste të çuditshme. Në sheshin poshtë Urës së Dajlanit janë depozituar tonelata të tëra me mbetje të ngurta dhe me mbetje urbane. Ndërtues të ndryshëm nuk kanë gjetur vend tjetër për të hedhur mbeturinat urbane të nxjerra nëpër objektet që po ndërtojnë. Po ashtu kanë vepruar edhe banorë aty pranë që kanë hedhur mbeturinat urbane ose ndryshe, plehrat e përditshme. Kjo ngjet pikërisht në hyrje të Durrësit.