Në një nga lulishtet e Durrësit, pikërisht pranë murit të kalasë është zhvilluar një ceremoni e veçantë në nderim të skulptorit të njohur, Sabri Tuçi. Në këtë ceremoni është përuruar edhe busti i tij, i cili është një masiv shkëmbi që ka në majë kokën e skulptorit të njohur të derdhur në bronz e punuar nga nxënësi i tij, skulptori i njohur Idriz Balani.

Në ceremoninë e inagurimit kanë marrë pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, artistë të qytetit, intelektualë, përfaqësues të ambasadave italiane dhe rumune si dhe tre vajzat e tij; Vojsava, Ana dhe Karmelina. Monumenti është inaguruar nga kryebashkiaku Dako dhe skulptori Muntaz Dhrami. Ky i fundit u shpreh se: Kjo ditë e bukur korrespondon shumë bukur me këtë aktivitet dhe më vjen mirë që ish- nxënësit e tij shprehin këtë dashuri për profesorin e tyre saqë na bën edhe ne të tjerëve ziliqarë për të bërë të njëjtën gjë për mësuesit dhe profesorët tanë. Ta gëzojë monumentin qyteti i Durrësit. Pas inagurimit të bustit, në ambientet e Bar Torra, të pranishmit kanë marrë pjesë në ekspozitën ku janë ekspozuar në fotografi rreth 30 punime të skulptorit të Merituar, Sabri Tuçi. Sabri Tuçi, Skulptor i Merituar ka lindur në një familje tregtare në Krujë, në vitin 1916 ku ka kryer arsimin e ulët dhe atë të mesëm. Më pas fitoi një bursë studimi në akademinë e arteve të bukura në Romë duke studiuar nga vitet 1939-1943. Aty spikat me talentin e tij në skulpturë, është një nga studentët më të mirë të Akademisë dhe cilësohet Fidia shqiptar, ku krahasohej me skulptorin e madh të antikitetit. Ka mbrojtur diplomën në Romë me punimin Djaloshi shqiptar, duke marrë vlerësime maksimale në rrethet artistike të akademisë, çka bëri që ti vënë edhe një epitet tjetër Davidi shqiptar. Pas studimeve emërohet asistent pedagog në akademinë e Romës, ndërsa pak më vonë kthehet në Shqipëri, në Krujë duke jetuar aty deri në vitin 1946. Pas këtij viti zhvendoset në Durrës ku edhe jetoi derisa vdiq në19 janar 1992. Në 1953 hap me iniciativën e tij studion e tij, ku kishte kurs pikture dhe skulpture. Aty do të merrnin pjesë dhe do të hidhnin hapat e para personalitete të shumta të artit si skulptorët e piktorët Kristaq Rama, Ruzhdi Rraklli, Nelo Lukaçi, Dhimitër Harallambi, Qazim Kërtusha, Myrvete Dajlani etj. Me krijimtarinë e tij Sabri Tuçi  ka realizuar mbi 182 vepra me shpërndarje gjeografike nga i gjithë vendi, ku spikatin portreti i bashkëshortes, portreti i studentes, ai i Isuf Pukës, Kasëm Durrësit dhe Vrana Kontit.