APD (Autoriteti Portual në Durrës), prej gati 5 vitesh po kërkon me ngulm largimin sa më parë të të gjitha anijeve të peshkimit nga territori i saj, duke arsyetuar se “Jjanë në rrezik fondet e investimeve disa miliona dollarëshe nga donatorët e huaj për modernizimin e tij”. Mentor Bunguri, zv.drejtori ekzekutiv i APD-së, ka deklaruar për “standard”: “Porti nuk mund të pranojë më situatën që krijon Flota e Peshkimit si në drejtim të pasigurisë edhe të ndotjes, pasi ajo po pengon edhe investimet madhore që janë shumë të rëndësishme për ne”.


Prej 5 vitesh, APD dhe Peshkimi ndodhen në një situatë “lufte” institucionale, duke krijuar një boshllëk dhe pasiguri për miliona dollarë investime që BB, BEI dhe shumë donatorë duan të japin për portin e Durrësit. Por, nga ana tjetër, prej 5 vitesh edhe fondi për të ndërtuar një port të ri peshkimi është garantuar nga Banka Islamike, por 14 milionë eurot rrezikojnë të digjen për shkaqe absurde. Bunguri deklaroi se “peshkimi duhet të largohet nga vendi ku sot është për të liruar kalatat, të cilat do të shërbejnë për të zgjeruar terminalin e trageteve”.


Sipas tij, në varësi të tonazhit dhe kapaciteteve, një anije transporti apo edhe traget i paguan qera portit për një metër linear deri në 10 euro në ditë, kurse peshkatarët dhe anijet nuk kanë paguar asnjë qindarkë deri më tani. 1 milion dollarë nga fondi i përgjithshëm për Flotën e re të Peshkimit është shpenzuar për të realizuar studimin e fizibilitetit. Ndërtimi i tij pritet të bëhet realitet në anë të kapitenerisë në pjesën e jashtme të rrethimit të portit.


Porti është projektuar në formë të tillë që të shërbejë jo vetëm si mjedis pune, por edhe pushimi, argëtimi e tregu. Por duket se problem ka mbetur vendimi i KRRT-së Bashkisë së Durrësit, pasi bashkia brenda saj ka mendime pro dhe kundër. Aktualisht, porti i Durrësit me një infrastrukturë moderne, do të ofrojë punësim e fitime, por deri tani gjërat kanë ngecur për shumë arsye. Bunguri u shpreh se “një pritje kaq e gjatë nuk mund të falet dhe tolerohet më, pasi flota dhe anijet e saj të peshkimit të rrënuara duhet të largohen që andej”.


Thellësia e kalatave dhe basenit nuk do të jetë e nevojshme të kapërcejë 5-6 metër dhe me të përfunduar porti, do të ofrojë një volum pune në gërmimin e 340 mije m3. Bunguri ka bërë të qartë se për aq kohë sa peshkatoret qëndrojnë në kalatën pranë terminalit të trageteve, përbëjnë rrezik dhe kërcënim. Autoriteti Portual në Durrës i ka lënë 3 vjet afat Peshkimit për të zgjidhur përfundimisht vendin e portit të ri, në të kundërt ajo do të nxirret forcërisht jashtë.


Bunguri tha: “Kemi bërë shumë investime për të fituar statusin e portit të sigurt në respektimin e standardeve të IMO-s, ndaj Peshkimi duhet të ikë një orë e më pare”. ICITAP ka finalizuar trajnimin dhe afrimin e pajisjeve për të rritur sigurinë në portin më të madh shqiptar, ndërsa më pas, 17 milionë euro e kanë transformuar tërësisht infrastrukturën e portit. I këtij mendimi është edhe Organizata e Menaxhimit të Peshkimit, por zvarritja për të afruar lejen e ndërtimit dhe lejen e sheshit të ndërtimit ka kërcënuar sigurinë e ruajtjes së fondit të 14 milionë eurove.