Dashnor Kokonozi 

Shkas për këto shënime u bënë dy e-maile të dy kolegëve që kërkonin informacion më të zgjeruar për Kolokiumin Ndërkombëtar që Universiteti Paris 10 organizoi në fund të muajit maj 2008 për Ismail Kadarenë. Në të vërtetë pjesëmarrës të tjerë të këtij kolokiumi kanë dhënë informacion të mirë e të bollshëm. Më tej unë do të shtoj vetëm ndonjë detaj. Por, ndërkohë ishte këlthitëse e dëshpëruese mungesa e publikut shqiptar, megjithëse në Paris jetojnë intelektualë, artistë e gazetarë të njohur. Madje, një studiues i njohur shqiptar gjatë pushimit të seancave e pashë që hyri në ndërtesën e quajtur “Shtëpia e Maks Webe”–it, ku zhvillohej kolokiumi, por vetëm sa na përshëndeti e iku, thua se u kryqëzuam të “Xhamllëku” dhe se ky nuk ishte evenimenti i parë që Parisi organizonte për një shkrimtar të gjallë.
Shkurt, kjo mospjesë-marrje nuk ishte shumë entuziazmuese për ne. Se nuk është fjala për të qenë fans i Kadaresë, që të vish aty. Debatet dhe analizat e thella të studiuesve nga Australia, Anglia, Amerika dhe të universiteteve kryesore franceze, ishin objektive dhe në një vështrim të panjohur për ne. Personalisht ndërhyja kur vërejta një tendencë të rikuperimit të Kadaresë nga ana e trockistëve që ruanin ende frymën e gjashtëdhjetë e tetës, e që ishin me shumicë të pranishëm. 
Gjithsesi, meqë u tha se botuesi i Kadaresë, Claude Durant, që ishte i pranishëm aty, mund të marrë përsipër botimin e kumtesave, kjo më shtyn që të dal me qejf nga informacioni mbi to e të flas për një ngjarje që ndodhi jashtë dyerve të kolokiumit. 
Ditën e parafundit, më 30 maj, aty rreth orën 19:30, isha duke pritur afër Kopshteve të Luksemburgut ambasadorin shqiptar, me të cilin e kishim lënë të takoheshim. Ai erdhi bashkë me të shoqen dhe ndërkohë që unë po i njihja me një pjesëmarrës tjetër të kolokiumit, që ishte vënë në kërkim të një hoteli, ambasadori thotë se jo larg prej aty ishte edhe shtëpia e Kadaresë. Pak më pas ai i telefonoi dhe i dha emrin e barit që kishim aty pranë, “Royal Luxemburg”.
Ne zumë një tavolinë jashtë barit dhe nuk vonoi shumë, kur pamë edhe Kadarenë të vinte, me atë hapin e tij të veçantë. Ndenjëm pothuajse deri në mesnatë duke biseduar me të dhe kur po ndaheshim bashkëshortja e ambasadorit më thotë se rrallë e kishte parë aq të çelur e pasionant në bisedë. Ambasadori tha se përgjithësisht në takimet zyrtare, ai ishte disi i mbyllur, por jashtë tyre shfaqte një natyrë krejt tjetër.
Kur një gazetare franceze që u ndodh aty e pyeti për diçka, Kadareja pas përgjigjes, me mirësjellje, i kërkoi falje që me ne të tjerët po fliste shqip. Më pëlqen, i tha. Kjo vërtet që më preku, se ndonëse ishte tepër i kursyer në ndjenjat e veta, në këtë rast atij pa dashje i shpëtoi një detaj, që e njohin mirë vetëm ata që kanë vite larg vendit të tyre; mallin që ndjejnë për t’u shprehur herë-herë në gjuhën e vendit, si një mënyrë e tërthortë për t’u ndjerë pranë tij. Edhe ai në një farë mënyre është emigrant dhe e vuan këtë mall, thashë me vete, jo pa një farë tronditje.
Tani nga e gjithë kjo bisedë dua të sjell vetëm një ngjarje. Pasi e pyetëm nëse kishte ndërmend të dilte ndonjë ditë andej nga salla e Kolokiumit dhe, Kadareja po thoshte se, ndryshe kur ishte fjala për  përurimin e ndonjë libri ku shkonte me qejf, ai e kishte fort bezdi të ishte i pranishëm në një sallë ku flitej apo analizohej vepra e tij, ne vërejtëm dy burra rreth 30-40 vjeç me fizionomi jo evropiane, që kishin qëndruar pak më tutje e po vështronin me kërshëri nga ai.
Në një çast reshtjeje të bisedës, me kujdes njëri prej tyre ngriti krahun për të tërhequr vëmendjen e ne të tjerëve dhe pyeti: Shkrimtari shqiptar? Po i thamë. Ata tundën kokën të kënaqur e me admirim.
Këtu kanë rëndësi disa detaje, që dua ti vë në dukje. Thashë se ishin me fizionomi të huaj dhe nuk qe e vështirë të kuptoje se ishin nga veriu i Afrikës. Veç kësaj ishin veshur me kominoshe, në të cilat kishte njolla të dukshme llaçi e allçie dhe ora kur u shfaqën aty ishte rreth dhjetë e darkës. Për ata që e njohin disi Parisin dhe legjislacionin francez, e dinë mirë rolin e sindikatave dhe e kanë të qartë se askush nuk të lë të punosh në ndërtim deri në atë orë të natës. Kjo do të thotë se ata ishin punëtorë të huaj, pa kontratë të rregullt. Veç kësaj duhej të ishin edhe pa dokumente qëndrimi, përndryshe nuk do të qenë të detyruar të punonin ashtu ilegalisht. Të detyrosh një punonjës të rregullt francez të punojë deri në atë orë në një sektor të tillë, CGT organizon tri ditë grevë kombëtare.
Duke marrë me mend të gjitha këto, i them Kadaresë se nuk më çuditi në vetvete fakti se e njohën, por identiteti i personave që e njohën, pra as intelektualë e as studentë francezë, thjeshtë dy emigrantë arabë. Kadaresë nuk i bënë asnjë përshtypje fjalët e mia, sikur të mos e besonte fare një gjë të tillë, se në fakt u hodhi një sy kalimthi dhe mbase iu duk si gjësendi e sajuar, kurdisur.
Mundet edhe se kishte kujtuar se ishim ne të tjerët që u kishim tërhequr vëmendjen, meqë e kishim vënë atë në mes e të gjithë i drejtoheshim atij. Dhe ata, punëtorët ilegalë, pastaj, kishin bërë ndonjë hamendjeje se cili mund të ishte ai. Nuk e di e nuk e mora vesh kurrë cila ishte arsyeja e flegmës së tij.
Pak çaste më tej dy punëtorët u ulën diku jo fort larg nesh. Pikërisht pasi kamerieri u la nga një birrë përpara, njëri prej tyre, sikur të kishte kuptuar dyshimet e Kadaresë, ktheu kokën nga unë, e duke zgajtur pak qafën tha: Le général de l’armée morte, non?
Kjo ishte, thashë me vete! Tunda kokën me admirim e respekt për ata dy fakirë të lodhur, por aq të thjeshtë e dashamirës dhe vërejta se edhe Kadareja nuk e kishte më në fytyrë atë dyshimin e parë.
Ishte prekur që ata kishin cilësuar me emër një vepër të tijën, gjë që do të thoshte se nuk kishin pyetur rastësisht për një fytyrë të parë diku kalimthi në ndonjë ekran televizori, por kishin një njohje më esenciale për të. Më pas do të marrim vesh se ishin me origjinë libaneze.
Të nesërmen i fola Veronique Gely-së, organizatores së Kolokiumit për këtë ngjarje dhe profesoresha e sapoemëruar në Sorbonë, kërkoi t’ia përsëris edhe një herë dhe për disa çaste mbeti krejt e mahnitur. Pastaj më tha se, mbase kjo ka ndodhur me që Kadareja ka emër mysliman dhe ata e kishin më të lehtë ta fiksonin në kujtesë. Ata nuk ia përmendën fare emrin, i thashë, cituan kombësinë dhe një vepër të tijën. Nuk arrij dot ta besoj, më tha, është krejt e jashtëzakonshme kjo që më thua! Jam shumë e prekur, shtoi pastaj dhe jam i sigurt se ata punëtorë nuk do të kishin aq njohje edhe për veprat e shkrimtarëve francezë më të përkthyer të ditëve tona.
Për kë thashë, për Houellebecq-un dhe përshkrimet e turizmit seksual apo për fantazmat e gjendjet komatike të Marc Levit?
 Natyrisht, thashë me vete.