Një përballje e talenteve të reja me publikun ishte koncerti simfonik i zhvilluar në Teatrin “Petro Marko” të qytetit të Vlorës, nën drejtimin e dirigjentit të sapo diplomuar Mario Rapaj si dhe motrës së tij, pianistes Paola Rapaj. Nën përkujdesjen e udhëheqësit artistik Alqi Lepuri (Artist i merituar), si dhe kujdesin e veçantë të Bashkisë Vlorë, dy të sapodiplomuarit u ngjitën në skenë me Orkestrën e Akademisë së Arteve. Dirigjenti Mario Rrapaj vinte në këtë koncert pas pjesëmarrjes në disa konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe një sërë recitalesh. Me dëshirën e madhe për të risjellë në skenë muzikën klasike në teatrin “Petro Marko”, ai ekzekutoi me Orkestrën Simfonike të Akademisë së Arteve koncertin për” Piano e Orkestër” të Çesk Zadesë, të interpretuar në piano nga artistja e re Paola Rapaj, si dhe Simfoninë nr.5 ne Do minor të L.V.Beethoven. Të sapodiplomuarit në Akademinë e Arteve me interpretimin e tyre transmetuan për publikun vlonjat një pjekuri të lartë profesionale. Programi në vetvete ishte kuruar dhe përzgjedhur me një shije të hollë e të veçantë, ku nuk mungoi edhe ndërthurja me natyrshmëri e kompozitorëve më me emër të huaj dhe shqiptarë si: Franc Schubert me “Simfonia nr.8 in B minor” e quajtur ndryshe “Simfonia e pambaruar”; pasuar me kompozitorin bashkëkohor Giovanni Allevi, me “Come sei veramente” (për pianoforte e orkestër); për të vijuar me muzikën më të mirë të kinematografisë shqiptare të kompozitorëve të shquar në këtë fushë, si Kujtim Laro në filmin ”Në fillim të verës”, e për të përfunduar me krijimtarinë e kompozitorit Sokol Shupo me tablonë simfonike “Shqipëria Vallëzon”, e frymëzuar nga katër tablo të piktorit Abdurahim Buza.