Partnerët e mëdhenj të koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk janë të sigurta se çfarë do të ndodhë me koalicionin në rast se nuk ratifikohet Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Madje përfaqësues të koalicionit qeverisës thonë se aktualisht nuk janë të sigurta votat e nevojshme për ratifikimin e demarkacionit. Në anën tjetër, analistët politikë në vend thonë se nëse koalicioni dështon në këtë çështje, atëherë ka shumë gjasa që vendi të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme, ose të formohet një qeveri teknike në mënyrë që të përgatiten kushtet për zgjedhje të reja që do të mbaheshin brenda gjashtë muajsh.