Pas suksesit në Ligën e Kampionëve, La Liga dhe në Superkupën e Spanjës, Barcelona synon ta përmbyllë me sukses vitin 2011 duke e fituar Botërorin e Klubeve. Katalunasit ndihen të gatshëm për një gjë të tillë, edhe pse për momentin po mendojnë për gjysmëfinalen e së enjtes ndaj ekipit Al Sadd

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, thotë se ekipit të tij i është dashur një punë e vështirë për të arritur deri te Botërori i Klubeve. Trajneri spanjoll e ka bërë të qartë se skuadra e tij është e vendosur ta fitojë këtë eveniment.

Kampioni evropian do ta hapë fushatën e vet në Japoni kundër ekipit Al Sadd të enjten (sot) në gjysmëfinale. Ish futbollisti i njohur spanjoll do të mundohet ta fitojë këtë turne për herë të dytë në karrierë si trajner.

“Jemi këtu sepse e kemi merituar këtë dhe tash do të punojmë që ta fitojmë këtë titull. Është një kompeticion në të cilin jam i ngazëllyer për mundësinë që do ta kemi. Të arrinim deri këtu ka qenë mjaft e komplikuar, mjaft e vështirë”, deklaroi 40 vjeçari në konferencë për shtyp.

Ndërkohë, edhe Andres Iniesta insiston se katalunasit dëshirojnë ta fitojnë Botërorin e Klubeve. “Ne jemi gati, edhe pse nuk është e lehtë të përshtatemi në orarin e ri. Gjithçka është ndryshe nga ajo që jemi mësuar ta bëjmë në Spanjë, por do të mundohemi të pushojmë mirë dhe të jemi gati për sfidat që na presin”, theksoi mesfushori spanjoll.

- “Ne do ta japim maksimumin në gjysmëfinale. Unë ndihem mirë, po kaloj nëpër momente të mira. Kur gjërat shkojnë mirë për ekipin, gjërat shkojnë mirë edhe për lojtarët po ashtu. Dëshirojmë të arrijmë suksese në Botërorin e Klubeve dhe duam ta fitojmë këtë titull”, shtoi Iniesta.

Edhe mbrojtësi Gerard Pique i ka idetë e qarta se çka dëshiron në evenimentin që po mbahet në Japoni. Mbrojtësi spanjoll thotë se katalunasit nuk guxojnë assesi ta lëshojnë një mundësi si kjo.

“Nuk duhet t’i lëshojmë mundësitë e tilla. Patëm rrugë të gjatë dhe nuk jemi adaptuar ende, por kemi ushtruar mjaft. Jemi mjaft të lumtur me lojën dhe rezultatet tona. Jemi në rrugë të mirë që të kemi sukses edhe në këtë eveniment”, thotë Pique. Ndeshja ndërmjet Barçës dhe kampionit të Azisë do të fillojë në orën 11:30.

Santosi, në finale të Botërorit të Klubeve

Santosi është finalisti i parë i Botërorit të Klubeve, eveniment ky që po mbahet në Japoni. Skuadra braziliane në gjysmëfinale ia doli ta mposhtë ekipin japonez Kashiwa Reysol me rezultat 3:1.

Golat për kampionin e Amerikës Jugore i shënuan Neymar (19’), Borges (24) dhe Silva (63). Kurse golin e vetëm për kampionin e Azisë e realizoi Sakai (54’). Santosi do ta kuptojë kundërshtarin e finales të enjten, pasi të luajnë në gjysmëfinalen tjetër klubi spanjoll Barcelona me atë nga Katari, Al Sadd. Ndërkaq, ekipi Monterrey e siguroi pozitën e katërt, pasi e mposhti Esperancen me rezultat 3-2.