XheliliVideoskandali. Dëshmon në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Anisa A. Ish-kreu i Bashkisë së Dibrës kërkon lirinë në apel


TË DHËNA


Dëshmia – Vajza u ka thënë hetuesve se gjithçka e kishte bërë me vetëdije për ta diskredituar ish-kreun e bashkisë, pasi prej muajsh e bezdiste me telefon dhe nëpërmjet rrjetit social “Facebook”


Filmimet – Para hetuesve, vajza ka thënë se filmimet i kishte bërë me celular, pamje të cilat më pas i kishte kaluar në një kartë memorie, të cilën ia ka dorëzuar medias që i transmetoi pamjet


Gjendja – Në prokurori dëshmoi nëna e vajzës 20-vjeçare, e cila tha se Anisa nuk i kishte treguar për filmimin e bërë. Ajo kërkoi ndihmë psikologjike nga prokurorët, pasi e bija është e traumatizuar


Vajza 20-vjeçare, Anisa A., dëshmoi dje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, disa ditë pas publikimit të videoskandalit, ku ish-kreu i Bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili, i kërkon favore seksuale në këmbim të vendit të punës. Anisa është marrë edhe më parë në pyetje nga hetuesit, në Dibër apo në Tiranë, ndërsa dje mësohet se ka dhënë shpjegime të gjata për momentin kur ka vendosur që të filmojë takimet me Xhelilin. Ajo ka thënë se e ka filmuar Xhelilin për ta diskredituar, pasi ai i ka kërkuar seks në favor të vendit të punës. Vajza ka pohuar se, pasi Xhelili e ka ngacmuar në Bashkinë e Dibrës, e ka ftuar në një hotel në Tiranë.


Dëshmia në prokurori


Disa hetues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë rimarrë në pyetje 20-vjeçaren që filmoi ish-kreun e Bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili. E shoqëruar nga nëna e saj, ajo u përball me hetuesit e çështjes, megjithëse mësohet se ajo ishte e traumatizuar pas publikimit të videoskandalit. Burime nga prokuroria pohojnë se ajo i qëndroi kallëzimit ndaj ish-kreut të Bashkisë së Dibrës. Vajza u ka thënë hetuesve se gjithçka e kishte bërë me vetëdije për ta diskredituar ish-kreun e bashkisë, pasi prej muajsh e bezdiste me telefon dhe nëpërmjet rrjetit social “Facebook” duke i kërkuar takim. Para hetuesve, vajza ka thënë se filmimet i kishte bërë me celular, pamje të cilat më pas i kishte kaluar në një kartë memorie, të cilën ia ka dorëzuar medias që i transmetoi pamjet. Burimet thonë se edhe nëna e vajzës 20-vjeçare është pyetur nga hetuesit e cila ka shpjeguar se vajza i kishte treguar për të gjitha bisedat me kreun e bashkisë, por që nuk i kishte treguar për filmimin e bërë. Nëna e vajzës mësohet se ka kërkuar ndihmë psikologjike nga prokurorët, pasi e bija është e traumatizuar.


Kërkesa për liri


Po dje, avokati mbrojtës i ish-kreut të Bashkisë së Dibrës ka ankimuar vendimin e masës së sigurisë pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, duke kërkuar lirimin nga qelia. Sipas avokatit, ky lirim është kërkuar mbi bazën e vendimeve të Gjykatës së Lartë, të dhënë për rastet e regjistrimit të bisedave e takimeve nga persona të ndryshëm, jo siç parashikon Kodi i Procedurës Penale. Avokati tha se bazuar në praktikat e Gjykatës së Lartë, si rasti i vendimit të videoskandalit Meta-Prifti dhe rasti Dibra-Albatros, Kolegji Penal ka mbajtur një qëndrim korrekt duke mos i pranuar si provë. Ky do të jetë edhe argumenti me të cilën do i kërkohet Apelit të Krimeve të Rënda të lirojë Xhelilin, tha avokati Ferdinand Doja. Sipas akuzës, Shukri Xhelili ka konsumuar veprën penale të korrupsionit pasiv, me qëllim kërkimin e favoreve seksuale me 20-vjeçaren nga Dibra, të cilën e ka punësuar në institucionin e tij.


Videoskandali


Për tu punësuar në bibliotekën e Peshkopisë, 20-vjeçarja Anisa A., do të duhej që më parë të dilte me vetë shefin që e punësoi, Shukri Xhelilin. Për të marrë rritje rroge apo të fitonte punë në një kënd të posaçëm që Xhelili e hapi veç për të, sërish 20-vjeçarja duhej të takohej me bosin në ndonjë hotel në Tiranë. Të paktën ky ishte thelbi i gjithçkaje që u shfaq më 12 maj në televizionin Ora News. Pjesa pasuese ka veç reagime, ku spikat ai i Teftës, bashkëshortes, e cila tha se do të jem deri në vdekje bashkëshortja e Shukriut, duke shtuar se e mbështeste fuqimisht dhe kishte besim tek ai, duke nënkuptuar edhe një komplot politik. Hamendësime të shumta për provokime, joshje dhe ndërhyrje brenda llojit, por jo species politike mbushën hapësirat mediatike dhe rrjetet sociale. Babai i vajzës tha se Shukriu më ka borxh gjakun dhe ndihet i kërcënuar familjarisht, ashtu siç pohuan të gjithë anëtarët e kësaj familjeje, të cilët kërkuan mbrojtje.