Bilanci i viktimave në qytetin e Kolkatës në Indi ka arritur në 23 pas shembjes së një ure e cila ishte në ndërtim e sipër.


Autoritetet druhen se kjo shifër mund të rritet edhe më tej pasi mbi dhjetëra persona dyshohet se kanë mbetur të bllokuar në rrënojat e strukturës.


Duke gjykuar se ata kanë qëndruar të bllokuar tashmë prej shumë orësh, forcat zjarrfikse shprehen se mundësitë që ndonjë prej tyre të gjendet i gjallë janë reduktuar ndjeshëm. Operacionet e kërkim shpëtimit kanë vazhduar pa ndërprerje, teksa forcat zjarrfikse janë ndihmuar nga qindra qytetarë por edhe forcat e ushtrisë.


Zyrtarët komunikuan se deri më tani janë shpëtuar afro 90 persona, të cilët ndodhen në spital në gjëndje kritike shëndetsore.


Mjekët u shprehën se shumica e pacientëve kanë marrë plagë të rënda dhe se gjëndja e tyre duket monitoruar me kujdes. Ura e shembur në Kolkata ishte e gjatë 2 kilometër dhe puna për ndërtimin e saj kishte nisur që në vitin 2009. Afati i përfundimit të punimeve ishte shtyrë disa herë ndërkohë që qytetarët kishin paraqitur edhe ankesa sa i përket sigurisë dhe rrezikut që paraqiste struktura për banorët e zonës. Autoritetet kanë nisur një hetim zyrtar për të zbuluar rrethanat e ngjarjes.


/Oranews.tv/


Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter