Elbasani u trondit mbrëmjen e së premtes nga vrasja e avokatit të njohur Ravik Gurra, në zemër të qyteti, vetëm 40 metër larg Kalasë së qytetit.


50-vjeçari me një eksperiencë prej 10 vitesh si avokat dhe i shkolluar në Londër, u qëllua me dy plumba në kokë, teksa po konsumonte kafen në ambientet e jashtme të një lokali, ku gjendej bashkë me një përfaqësues të Avokatit të Popullit.


Pasi kanë kaluar dy ditë nga ngjarja e rëndë, policia ende nuk e ka zbuluar autorin e ngjarjes, i cili ishte i maskuar me një kapele dhe për të kryer vrasjen ka përdorur një pistoletë me silenciator.


Nga rindërtimi i skenës së krimit, rezulton se autori i është afruar qetësisht Gurrës dhe më pas e ka qëlluar pas koke dhe më pas është larguar me shpejtësi. Për të mos krijuar dyshime, autori, në momentin që është drejtuar për te tavolina ku qëndronte Gurra, e ka përshëndetur me dorë.


Hetimet për zbardhjen e vrasjes së Ravik Gurrës i kanë kaluar Prokurorisë për Krimet e Rënda në Tiranë, pasi bëhet fjalë për ekzekutim të funksionarëve publikë. Grupi hetimor që po punon për zbardhjen e vrasjes mafioze, ende nuk ka një të dyshuar konkret, ndërkohë që për tu marrë në pyetje janë shoqëruar shumë persona.


Kamerat e sigurisë kanë arritur të kapin autorin, por Policia dhe Prokuroria deri tani nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë identifikimin e tij.


Ngjarja ndodhi në qendër të qytetit, ku ndodhen dhe shumë institucione publike. Gjithçka ka qenë shumë e shpejtë sa dhe miqtë e tij dhe dëshmitarë në ambientet e jashtme të lokalit kanë menduar se avokatit i kanë rënë të fiktë kur e panë të shtrirë në tokë.


Por shumë shpejt është kuptuar nga gjaku që ai është vrarë. Dëshmitarët nuk kanë mundur të bëjnë një identikit të autorit, i cili, duke përfituar nga errësira, është larguar me ecje të shpejtë.


Dyshohet se një mjet tip Benz e ka pritur atentatorin jo shumë larg vendit të ngjarjes. Më pas, autorët kanë djegur makinën në afërsi të fshatit Karakullak, pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit për të zhdukur çdo gjurmë.


Ka dyshime të forta se autori është paguar, ndërsa konsiderohet vrasje për shkak të detyrës.


Ravik Gurra ishte babai i dy fëmijëve dhe prej vitesh bënte një jetë mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, ku jetonte bashkë me familjen që prej vitit 1998.


Dy çështjet më të rëndësishme që 50-vjeçari ka mbrojtur në vendin tonë lidhen me fisin Çapja në Elbasan si dhe Emiljano Shullazin në Tiranë.