Futbollisti ukrainas Andriy Shevchenko, kaloi nëpër vështirësi të mëdha tek Chelsea e AC Milan në tre vjetët e fundit. Megjithatë, sulmuesi ukrainas e zgjodhi rrugën e drejt për t’u rikthyer tek Dynamo Kiev, ku deklaron se po e shijon futbollin ende.
“Unë u ktheva në Kiev me formë të mirë fizike dhe po e shijoj futbollin sërish. Kjo është mjaft e rëndësishme. Unë ndieja errësirë në vete sepse kisha probleme me qafë sezonin e kaluar. Ky lëndim nuk po më linte të punoja siç dëshiroja dhe të luaja në vazhdimësi”, ka thënë Shevchenko për uebfaqen uefa.com.
“Që nga rikthimi në Kiev, nuk kam munguar në asnjë ndeshje, dhe, nëse nuk gaboj, në asnjë stërvitje. Ndjenja për topin është me mua sërish dhe ndeshjet e njëpasnjëshme në kanë ndihmuar që ta ri-gjej shkathtësinë. E vetmja gjë që dëshiroj ta kem është pak më shumë fat”, vazhdoi ukrainasi.
Sheva ka shtuar se trajneri Valeri Gazzaev i jep instruksionet dhe ai mundohet t’i qojë deri në fund. 33 vjeçari e ka pranuar se e kishte vështirë në ndeshjet e para të rikthimit të tij në Ukrainë pas 10 vjetësh, por tash çdo gjë po i shkon mirë.