Klubi i futbollit Feronikeli, tashmë ka gjetur trajnerin e ri. Nuk është Klodrian Duro siç paralajmëruan mediat më parë, por në Kosovë tashmë ka arritur Sulejman Starova, i cili do të drejtoj skuadrën nga Drenasi deri në fund të këtij sezoni.


Lajmi është zyrtarizuar nga faqja zyrtare e Feronikelit në Facebook, ku është postuar dhe një fotografi e trajnerit së bashku me Presidentin e klubit Naser Ramaj.


Nuk kemi kohë për të humbur sepse lufta për titull është intensifikuar. Ne do ta bëjmë të pamundurën që ta çojmë deri në fund synimin tonë dhe ta fitojmë titullin, njoftoi Ramaj, teksa i uroi mirëseardhje dhe fat trajnerit të ri.


Një ditë më parë dha dorëheqje Ismet Munishi, pas barazimit me Vllazninë e Pozharanit në xhiron e 24, ndërsa shihet qartë që Nikeli nuk ka humbur shumë kohë për të gjetur trajnerin e ri.


Starova së fundmi ka drejtuar skuadrën e Partizanit, ndërsa bëhet trajneri 4-t nga Shqipëria që do të drejtoj një skuadër kosovare gjatë këtij sezoni, pas Bledi Shkëmbit, Mirel Josës dhe Gugash Maganit.


21 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)